E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sparkes: Kërkohen prova për raportin e Martyt

Nga Express më 23 shkurt 2011 në ora 19:00

Zëvendës shefi i misionit evropian për sundimin e ligjit (EULEX), Andy Sparkes, i tha BBC-së se EULEX-i nuk ka ende të dyshuar konkret për akuzat e ngritura në raportin e senatorit zviceran Dick Marty.

Por ai tha se misioni ka vënë një komunikim me senatorin Marty dhe ripërsëriti thirrjen për dorëzimin e dëshmive për dyshimet e ngritura në raport.

"Ne kemi hapur hetimet paraprake. Për momentin nuk ka të dyshuar konkret, por dosja është hapur. Ka patur vendosje të bazave për hetime të mëtejme, në këtë rast me Shqipërinë, ku prokurorët tanë kanë qëndruar dhe gjithashtu ka patur edhe diskutime në Beograd. Prandaj hapat përgatitor janë ndërmarrë. Ne jemi në komunikim me senatorin Marty. Ne do të përsërisim se duam që të gjithë ata që kanë dëshmi konkrete, të na mundësojnë që të përcjellim ato për të cilat ai ka ngritur dyshime në aspektin e drejtësisë, që të dorëzojnë dëshmitë me qëllim që ne të procedojmë. Ne si EULEX jemi të gatshëm dhe të aftë ta bëjmë këtë", tha Sparkes.

Ambasadori Andy Sparkes tha se të gjitha rastet e hetimeve të profileve të larta, të dyshuara për përfshirje në korrupsion, janë duke u shqyrtuar dhe i cilësoi ato si të komplikuara që do të marrin kohë për t’u proceduar.

Sipas tij, misioni nuk dëshiron që të dështojë në trajtimin e këtyre rasteve dhe ka thënë se ligji duhet të jetë mbizotërues në çdo rast.

"Koha e rezultateve në këto raste të profileve të larta është në duart e procesit gjyqësor. Nuk është diçka që mund të vendoset ose të afatizohet politikisht, në asnjë mënyrë. Përgjigja është nuk e di se sa do të marrë kohë. Këto raste janë të komplikuara. Nuk duam të dështojmë me këto raste, qoftë në rastin kur të merret vendimi se nuk ka dëshmi të mjaftueshme ose kur të duam që këto dëshmi të shkojnë tutje, për të arritur rezultate. Unë e kuptoj se njerëzit nuk ka durim, por ne do të arrijmë atje", tha ai.

Ai tha se do të ishte mirë që dialogu mes Prishtinës e Beogradit, me lehtësimin e BE-së, sa më shpejt të krijonte hapësirë për një jetë normale dhe përparim për veriun e Kosovës.

"Çështja e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit është çështje e të dyja autoriteve që ta zgjidhin së bashku me lehtësuesit e BE-së, por natyrisht se do ta ndihmonte EULEX-in nëse çështjet që aktualisht e bëjnë të vështirë që veriu të funksionojë normalisht të zgjidhen, me qëllim që ne ta kryejmë punën tonë më mirë dhe që qytetarët të përfitojnë. EULEX-i nuk e kontroll dialogun. Me të merret zyra e zonjës Ashton. Unë besoj se do të ishte një gjë e mirë nëse dialogu do të krijonte sa më shpejt të jetë e mundur më shumë hapësirë për një jetë normale dhe përparim më të mirë për njerëzit në veri", theksoi Sparkes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›