Sparkes, serbëve në Veri: Përdorni targat e vjetra

Zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes, ka këshilluar banorët e veriut të Kosovës që të mbajnë targat e vjetra të Serbisë, ku janë të përfshira edhe qytetet e Kosovës.
“Duhet t`iu shmangemi konfrontimeve dhe konflikteve, pasi një gjë e tillë është e pakuptimtë. Këshilla ime do të ishte që të punoni siç keni punuar deri më tani dhe t`i japim një shans dialogut”, ka thënë Sparkes, duke shtuar se problemi i targave në veri të Kosovës ilustron gjendjen e komplikuar, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.
“Në një shoqëri normale, nuk presim që targat e automjeteve me një apo tjetër mbishkrim të jenë arsye për dhunë potenciale”, ka deklaruar Sparkes.
Reagimet e Sparkes erdhën pasi në veri të vendit filluan në masë të madhe të përdoreshin targat e reja të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë me shkurtesa të qyteteve të Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës lejon përdorimin e targave të vjetra të Serbisë me shkurtesa të qyteteve të Kosovës, ndërsa policia e Kosovës ka marr urdhër që targat e reja të konfiskohen.