E Diel, 1 Nëntor 2026

Spartak Braho shantazhon Ardian Dvoranin. Përgjigjet gjykatësi: Çanta e zezë e Brahos, si në diktaturë

Share

(E PERDITESUAR)- Avokati i Ilir Metës, Spartak Braho, ka sulmuar ashpër gjykatësin e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, të vetmin që dha një vendim ndryshe nga gjykatësit e tjerë në çështjen e Ilir Metës. Në një editorial të publikuar nga e përditshmja MAPO, Braho i përmend atij filmime të bëra dhe afera. Reagimi i Brahos vjen pasi Dvorani deklaroi se çështja e Metës u mbyll pa dinjitet. Dvorani pati deklaruar edhe se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i mbushur me baltë. Kurse Braho i përmend atij një çështje pronësie, që duket qartë që është shantazh. Kjo lugë çorbe e prishur mund të hahet edhe në Nicë apo Monte Karlo, në ndonjë seminar familjar, ndërkohë kur në sallën e Gjykatës së Lartë të bërit pis prisnin të zhvillonin seancën e radhës të gjykimit të një çështjeje sa politike aq edhe të ndjeshme për opinionin publik. Bën vaki që kjo lugë çorbë mund të jetë gëlltitur së bashku me ndonjë vendim tjetër për çështje pronësie, ashtu sikundërse mund të ketë ndodhur dhe nga frika e ndonjë filmimi, kur bëtë betimin se vetëm pafajësi nuk jap, shkruan Braho.

Ndërkohë gjykatësi është përgjigjur në një intervistë për revistën JAVA. Dvorani thotë se Braho duhet të hapë çantën e zezë dhe drejtësia të hetojë për akuzat e tij. Si jurist, do ta kaloja në heshtje. Do të flisja nëse do të ishte një debat profesional, por edhe pse balta ishte private do të merresha më shumë me fenomenin. Nuk do të flas për etiketimet personale dhe të pahijshme që më ka bërë. Nga unë nuk do të dëgjoni konsiderata personale për juristin Braho, por për çantën e tij të zezë që ai e mban me vete, nuk do të hesht. Besoj se ajo çantë ku pretendohet se ndryhen sekrete me vlerën e provave për vepra penale, është një rast i nxitur nga e shkuara e tij. Vetëm në diktatura, dosjet dhe çantat e zeza ishin normale, ato u rregullonin jetën atyre që i mbanin dhe jua shkatërronin shumicës tjetër. Si jurist ju them se ligji penal shqiptar kërkon ndjekjen penale të detyrueshme menjëherë sapo vihet në dijeni për prova për një krim të caktuar dhe për fakte penale. Ndryshe, ato do të ishin arkiva okulte për interesa okulte. Askush përveç shtetit nuk ka të drejtë të vëzhgojë dhe gjykojë jetën private të tjetrit duke i dhënë vetes mundësinë që ti bëjë karshillëk institucioneve të vendit dhe inteligjencës së qytetarëve dhe për ti përdorur ato për interesa personale dhe të atyre që ka rrotull, thotë Dvorani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›