E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Shqipëri e për Kosovë

Presidenti Bamir Topi tha dje, se ftesa për anëtarësimin në NATO e shkëput Shqipërinë nga e kaluara. Presidenti veçoi gjatë fjalës së tij Kosovën, për të cilën tha se do të kishte ndihmën e mëtejshme të Shqipërisë për njohje të mëtejshme dhe për integrimin euroatlantik. Ai shprehu keqardhje për mosftimin e shtetit maqedonas, por “dera e hapur” për vendin fqinj do t’i jepte më shumë siguri rajonit.

-Zoti president, fillimisht ju urojmë për ftesën. Por, a keni ndonjë koment të veçantë, aq më tepër që bëtë një cilësim, “Republika e Kosovës”?

Bamir Topi: “Urime gjithashtu edhe juve! Ka qenë një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët. Për shqiptarët e Shqipërisë, për shqiptarët e Kosovës, për shqiptarët kudo që jetojnë dhe banojnë. Kjo është pas pavarësisë së Kosovës, të cilën e përjetuam një muaj e gjysmë më përpara, ngjarja më e rëndësishme, që i hap një perspektivë të shkëlqyer jo vetëm Shqipërisë, përfshi Kosovën, që jo pa qëllim në fjalën time unë, në mënyrë eksplicite, kam përmendur të ardhmen euroatlantike të Kosovës, që do të bëhet me ritme shumë të shpejta. Shqipëria do të kontribuojë në mënyrë të fuqishme për të bërë të mundur që Kosova, pas fitimit të pavarësisë, jo vetëm të njihet nga sa më shumë vende, por të jetë pjesë e integrimit në familjen evropiane dhe euroatlantike. Ne kemi bindje të plotë që populli i Kosovës, klasa politike e Kosovës, institucionet e Kosovës të vihen në pozicion bashkëpunues për të arritur këtë qëllim, që është në të mirën e të gjithë shqiptarëve”.

-Zoti president, çfarë mendoni se do të përbëjë për Shqipërinë, veçmas në fushën e reformave, kjo ftesë nga NATO-ja?

“Kjo pa diskutim që e shkëput Shqipërinë nga e kaluara, i hap një perspektivë të ndritur për të ardhmen, i jep mundësinë që të jetë një vend i sigurt, të zhvillojë reforma sipas standardeve që kanë vendet e NATO-s dhe mbi të gjitha, krijon klimën e nevojshme për investime, për biznesin, qarkullimin e njerëzve, qarkullimin e mallrave dhe për të qenë një vend i aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në vend”.

-Ju keni pasur takime të nivelit të lartë në Bukuresht. A mund të na thoni diçka lidhur me bisedimet me homologët tuaj?

“Mund t’ju them që të gjithë janë shumë të gëzuar që Shqipëria mori ftesën dhe ky është kontribut i të gjithë vendeve mike të NATO-s. Dhe, do të doja të veçoja në mënyrë të veçantë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë që kemi pasur nga presidenti Bush, me të cilin u takova dhe sinqerisht pashë tek sytë e tij gëzim të madh, sikurse shihet në sytë e çdo shqiptari”.

-Kemi një përmbushje jo të plotë të kartës “Adriatik 3”, pasi shteti maqedonas mbeti jashtë. A mund të na komentoni se çfarë do të thotë kjo?

“Nuk më erdhi mirë që Maqedonia nuk u fut për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, për shkak të problemit që ka me emrin. Gjithsesi, ftesa mbetet e hapur për Maqedoninë dhe besoj që do të gjendet një zgjidhje në kohët që vijnë, që do ta bënte të mundur që edhe vendi tjetër, sikurse është Maqedonia, një vend i “A3”-it, të ketë mundësinë t’i bashkohet familjes së NATO-s për t’i dhënë siguri më të madhe rajonit tonë. Gjithsesi, është një çështje që nuk ka të bëjë më me Shqipërinë”.

-Atëherë, të kemi shpresë që brenda vitit Shqipëria të përfundojë kuadrin që ka mbetur deri në pranimin zyrtar si anëtare me të drejta të plota e NATO-s?

“Unë jo vetëm që jam i bindur, por kjo bindje është tek të gjithë partnerët tanë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›