E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i tensioneve

Ndikimi i Rusisë rezultoi i fuqishëm mes anëtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, të cilët nuk arritën të bien dakord për t’i ofruar Ukrainës e Gjeorgjisë pjesëmarrjen në Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP). Pas shumë debatesh e përçarjesh, NATO-ja konfirmoi dje, se nuk mund t’u ofrojë anëtarësimin dy ish-republikave sovjetike, megjithëse premtoi se një ditë dy vendet e Detit të Zi do të bëhen anëtare. Kështu, shqetësimi i Francës dhe i Gjermanisë mbi reagimin e Rusisë rrëzoi shpresat e dy vendeve për t’u bërë pjesë e MAP-së, një procedurë që do t’i mundësonte anëtarësimin në NATO brenda 5 ose 10 vjetësh. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kishin “frikë” të provokonin Moskën, pas ajo pati paralajmëruar për një krizë të re mes Lindjes dhe Perëndimit nëse NATO-ja do të merrte dy ish-republikat sovjetike. Që të dy këto vende ndodhen në kufirin jugperëndimor të Rusisë, ku kalojnë tubacionet e gazit dhe naftës që Moska transporton në Perëndim. E me gjithë vendimin e marrë, Moska mbeti sërish e pakënaqur, duke deklaruar se premtimi i NATO-s në Rumani, se Gjeorgjia dhe Ukraina do të bëhen një ditë anëtare të Aleancës, ishte një gabim i madh strategjik. “Anëtarësimi i Gjeorgjisë dhe Ukrainës në Aleancë është një gabim strategjik, i cili do të kishte pasojat më serioze për sigurinë panevropiane”, - tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Alexander Grushko, për agjencinë e lajmeve “Interfax”. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jap de Hop Shefer, tha se ministrat e Jashtëm të NATO-s do të rishikojnë aplikimet e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në dhjetor të këtij viti. Sipas tij, në varësi të arritjeve, ministrat do të kenë autoritetin për të nisur procedurat për anëtarësim. Presidenti i Ukrainës, Viktor Jushçenko, insistoi gjithashtu se Ukraina një ditë do të jetë anëtare e NATO-s. Por qeveritë properëndimore në të dyja republikat patën paralajmëruar para samitit, se refuzimi i nisjes së procesit për anëtarësim të tyre do të jetë një nxitje për forcat proruse në vendet e tyre.

Bush merr aprovimin e NATO-s për sistemin antiraketë

Pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme të Rusisë, presidenti amerikan Xhorxh Bush fitoi dje edhe miratimin e anëtarëve të NATO-s për ndërtimin e një sistemi mbrojtës raketash në Evropë. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolesa Rais, e quajti këtë arritje një marrëveshje tepër të rëndësishme për Aleancën Ushtarake. “Tani është kuptuar qartë në Aleancë, se sfidat dhe kërcënimet e shekullit të 21-të e bëjnë të nevojshëm sistemin antiraketë, që mund të mbrojë vendet e Evropës”, - tha Rais para gazetarëve të mbledhur në Bukuresht. Sipas analistëve, kjo marrëveshje përfaqëson mbase arritjen më të madhe për Bushin në samitin e NATO-s, pasi Rusia ka kundërshtuar fort planin. Sekretarja amerikane e Shtetit vuri në dukje edhe faktin se gjatë këtij samiti, NATO-ja i kërkoi gjithashtu Rusisë të ndalojë kritikat e saj ndaj përpjekjeve të Aleancës dhe t’i bashkëngjitet ofertës për bashkëpunim që i kanë ofruar SHBA-të. Në deklaratën për median të Aleancës, NATO-ja u bën thirrje vendeve anëtare të gjejnë mënyra, me anë të së cilave projekti amerikan për ndërtimin e sistemit antiraketë në Poloni dhe Republikën Çeke të mund të lidhet në të ardhmen me sistemet e raketave në vende të tjera. Në të thuhet se liderët e vendeve anëtare duhet të vijnë me rekomandime që do të shqyrtohen në samitin e ardhshëm të NATO-s në vitin 2009. Plani amerikan parashikon 10 interceptorë raketash të vendosen në Poloni dhe një radar gjurmues në Republikën Çeke. Tashmë SHBA-të kanë përfunduar me sukses marrëveshjen me çekët, që pritet të nënshkruhet në fillim të majit, ndërsa mbetet miratimi përfundimtar nga polakët.

Maqedonia mbetet jashtë

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Greqia ia arriti qëllimit për të bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

“Maqedonia do të marrë ftesën për t’iu bashkangjitur NATO-s pasi të ketë zgjidhur mosmarrëveshjen për emrin me Greqinë”. Ishte ky qëndrimi zyrtar i Aleancës, pasi vendet anëtare nuk arritën të bindin Greqinë të lëshonte pe. “Na vjen keq që nuk mundëm të arrijmë një konsensus për të ftuar Maqedoninë që t’i bashkohet Aleancës”, - tha presidenti amerikan, Xhorxh Bush, pas përfundimit të takimit mes 26 liderëve të vendeve anëtare. Sipas tij, çështja e emrit duhet të zgjidhet sa më shpejt, në mënyrë që Maqedonia të ftohet në NATO sa më shpejt të jetë e mundur. “NATO-ja pret për ditën që Maqedonia të zërë vendin mes anëtareve të tjera të Aleancës”, - tha ai. Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, inkurajoi Athinën e Shkupin të vazhdojnë pa asnjë shtyrje negociatat, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt. Kreu i Aleancës tha se e kupton zhgënjimin e Maqedonisë, por pranoi njëkohësisht se Samiti i Bukureshtit nuk përmbushi pritshmërinë e shumë prej aleatëve. “Nuk e fsheh faktin që unë shpresoja të shihja tri ftesa”, - tha Shefer.

Delegacioni maqedonas braktis samitin

Delegacioni maqedonas i ftuar në samitin e NATO-s që po mbahet në Bukuresht, vendosi të largohej nga takimi, në shenjë proteste ndaj vetos së Greqisë për të mos lejuar Maqedoninë të merrte ftesën për anëtarësim në Aleancë. Menjëherë pasi NATO-ja njoftoi se refuzonte vendin e vogël ballkanik të anëtarësohej në bllokun me 26 anëtarë, zyrtarët e ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë (emri me të cilin vendi është pranuar zyrtarisht në Kombet e Bashkuara), u larguan nga salla e konferencave. Shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Miloshovski, tha para gazetarëve, se 90 për qind e popullit maqedonas mbështeste fort anëtarësimin, ndaj është e nevojshme që zyrtarët të tregojnë solidaritet me qytetarët e vendit. “Delegacioni maqedonas po largohet sot. Është e nevojshme t’i qëndrojmë pranë popullit tonë. Kjo është një kohë e vështirë për një vend të vogël si i yni”, - tha ministri i Jashtëm. Maqedonia mbeti pa ftesë në samitin e Bukureshtit, pasi nuk u arrit një marrëveshje mes Shkupit e Athinës lidhur me mosmarrëveshjen për emrin kushtetues të Mqedonisë. Greqia i kundërvihet emrit “Republika e Maqedonisë”, duke argumentuar se Shkupi mund të ketë pretendime territoriale ndaj krahinës së saj më veriore, që mban gjithashtu emrin Maqedoni. Burime jozyrtare nga samiti i Bukureshtit thanë dje për mediat ndërkombëtare, se me t’u arritur një marrëveshje mes dy vendeve, Maqedonia do të marrë ftesën për t’iu bashkangjitur NATO-s, pa formalitete të mëtejshme dhe pa qenë nevoja për organizimin e një tjetër samiti të Aleancës. “Qeveria greke ka qenë mëse e qartë gjatë diskutimeve, se nuk mund të ketë ftesë, derisa të jetë zgjidhur çështja e emrit”, - tha zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apathurai. Sipas analistëve, NATO-ja është e vendosur të fusë në gjirin e saj Maqedoninë, e së bashku me Shqipërinë e Kroacinë që tashmë morën zyrtarisht ftesën, si një mënyrë për të siguruar stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Cërvenkovski dhe Gruevski, akuza Athinës 

Presidenti maqedonas, Branko Cërvenkovski dhe kryeministri Nikolla Gruevski, lëshuan dje akuza dhe kritika të ashpra ndaj Greqisë për bllokimin e anëtarësimit të vendit në NATO. Cërvenkovski akuzoi Greqinë për mospranimin e Maqedonisë në NATO, duke thënë se ky vendim është një padrejtësi e madhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. “Pengesa e vetme që nuk u bëmë anëtarë të NATO-s janë frustracionet e fqinjit tonë jugor, Greqisë, e cila pozitën e saj irracionale e ngriti në atë nivel, që të keqpërdorë të drejtën e vetos si anëtare e NATO-s”, deklaroi ai në Bukuresht. Megjithatë, presidenti maqedonas tha se vendi i tij do të jetë i aftë të përballojë edhe këtë sfidë, për të vazhduar rrugën e nisur. Nga ana tjetër, kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se Greqia e shfrytëzoi të drejtën e vetos për bllokimin e anëtarësimit të Maqedonisë në Aleancë dhe se sipas tij, kjo është një armë e rëndë artilerike në diplomaci. “Ne do të vazhdojmë me përpjekjet tona për përparime më të mëdha. Vendi do të vazhdojë të zhvillohet, për shkak se ka qytetarë të fuqishëm, miq të fuqishëm, shumë aleatë, SHBA-të dhe Turqinë. Kemi kaluar situata të vështira, do të tejkalojmë edhe këtë dhe do të përkushtohemi drejt përparimit të vendit”, tha Gruevski.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›