E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialistët: si të shpalleni fitues

16/06/2009  Pranimet në universitetet për 2009–2010, roli i koeficienteve në përzgjedhjen e drejtë të degëve

Programet studimore që duhen zgjedhur nga kandidatët për çdo profil të shkollës së mesme

Zgjedhja e duhur e programeve studimore gjatë plotësimit të formularit A-2 është pika kyçe e përcaktimit të kandidatëve që për vitin e ardhshëm akademik mund të pranohen në auditorët e arsimit të lartë publik në vend. Specialistët e Maturës Shtetërore kanë pohuar se përzgjedhja e degëve në formularin e preferencave duhet të jetë e ngjashme me atë të profilit të shkollës së mesme që maturanti ka kryer. Vetëm në këtë formë pikët që mund të mbledhë çdo kandidat në procesin e përllogaritjes së komponenteve të Maturës Shtetërore mund ta renditin atë fitues. Kjo pasi rezultojnë të jenë disa herë më të larta se pikët e mbledhura po prej këtij kandidati, në rast se përzgjedh programe të drejtimit të kundërt në krahasim me atë që ka mbaruar në shkollën e mesme. Shembujt e publikuar në lidhje me kujdesin në renditjen e degëve tregojnë se maturanti duhet të ruajë profilin e shkollës së mesme dhe duhet të kërkojë të japë provime me zgjedhje ato lëndë që i përshtaten programit të studimit që dëshiron të ndjekë.

Pikët

Një rol të veçantë në grumbullimin e sa më shumë pikëve për t’u renditur brenda kuotës së shpallur për fituesit do të luajnë edhe koeficientet (si ato të shkollës së mesme, ashtu edhe të lëndëve me zgjedhje. Bazuar në rregulloren e provimit, rezulton se mundësia për të mbledhur më shumë pikë krijohet jo vetëm nga zgjedhja e programeve të afërta të studimit, por edhe nga lloji i koeficientit. Në rast se maturantët do të zgjedhin programet e përafërta për të vijuar studimet e larta, atëherë dhe koeficientet që do të hyjnë në përllogaritje do të jenë më të lartë, çka rrjedhimisht sjell më shumë pikë në dispozicion të kandidatit. Maturanti që ka mbaruar profilin shoqëror dhe zgjedh degë të po këtij profili, do të ketë koeficient më të lartë në përllogaritje sesa po të zgjidhte si programe studimi ato të profilit natyror. Megjithatë, procesi i plotësimit të formularit, ku do të bëhet kjo renditje, pritet të nisë në fund të këtij muaji. Specialistët e Ministrisë së Arsimit kanë pohuar se një vendim i tillë merret me qëllim që t’u vihet sa më shumë në ndihmë maturantëve që të bëjnë vetë përllogaritjet përkatëse për të krijuar idenë e pikëve që mund të arrijnë për të dhjetë preferencat (në këtë rast ata dinë koeficientet, notat e lëndëve të detyruara dhe kështu mund të llogaritin vetë pikët për çdo preferencë dhe t’i krahasojnë ato me pikët e fundit të vitit të shkuar dhe të krijojnë idenë se sa afër pranimit mund të jenë).

Përcaktimi i fituesve

Për përcaktimin e fituesve ndër kandidatët maturantë konkurrentë përdoret një program kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi, sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë. Nga eksperienca e këtyre viteve të realizimit të këtij procesi janë vërejtur disa dukuri, të cilat do të përpiqemi t’i trajtojmë në këtë punim. Mendojmë se ky punim do t’u shërbejë jo vetëm maturantëve për të sqaruar procesin e pranimeve në IAL, por dhe vetë universiteteve. Provimet e fundit të Maturës do të zhvillohen më 10 korrik në një ditë të vetme për të dy lëndët me zgjedhje e më pas do të nisë procesi i përllogaritjes sipas sistemit meritë–preferencë.

Shembujt

Le të marrim shembullin e një kanditati për student, i cili është i profilit shoqëror dhe ka në një nga preferencat e tij programin e studimit Drejtësi (që ka koeficientin e shkollës 1.4) dhe lëndët që ka zgjedhur për të dhënë provim janë “Njohuri për shoqërinë” dhe “Ekonomi–Filozofi”që kanë koeficientin maksimal 1.3).

Shembulli 1

Maturanti ka marrë këto vlerësime: D1=8.64; D2=8.2; Z1 = 8.85 ; Z2 = 9.68 ; M = 41

Me këto të dhëna ky maturant fiton pikët e mëposhtme:

SHM KSH Z1 KZ1 Z2 KZ2 Dega Pikë

Drejtim Shoqëror 1.4 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi – Filozofi 1.3 Drejtësi 6083.9

Natyrshëm; ky maturant për këtë program studimi do të ketë pikët maksimale për rezultate maksimale. I njëjti rezultat vlen edhe për programet e tjera të studimit që kanë këta koeficiente, ku përgjithësisht hyjnë programet e studimit me drejtim shkencat humane.

Por shpeshherë gjatë plotësimit të preferencave maturantët orientohen në disa programe studimi, që jo vetëm nuk kanë afri, por janë diametralisht të kundërt.

Pyetja shtrohet: A mund ta ketë këtë rezultat maturanti për programet e studimit ku bazë janë shkencat ekzakte?

Le të marrim dhe të analizojmë një shembull nga programet e studimit të Fakultetit Ekonomikut: Ekonomiks.

Ky fakultet për maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme me profil shoqëror koeficientin e shkollës e ka 1.2, pra krahasuar me shembullin e Drejtësisë, kemi një diferencë prej -0.2 në koeficientin e shkollës.

Po të analizojmë koeficientët e lëndëve me zgjedhje gjithashtu do të vëmë re se: Lënda Njohuri për Shoqërinë ka koeficientin 1, pra –0.3 krahasuar me Drejtësinë, po kështu dhe Ekonomi dhe Filozofi. Nëse do të llogaritim pikët me koeficientet e ndryshuar, për këtë program studimi, do të vëmë re se maturanti pëson një ulje të ndjeshme të pikëve.

Shembulli 2

Po marrim të njëjtin maturant me vlerësimet: D1=8.64 ; D2=8.2 ; Z1=8.85 ; Z2=9.68 ; M=9.41

SHM KSH Z1 KZ1 Z2 KZ2 Dega Pikë

Drejtim Shoqëror 1.2 Njohuri për shoqërinë 1 Ekonomi – Filozofi 1 Ekonomiks 5003

Menjëherë bie në sy diferenca e pikëve që fiton maturanti në të dyja rastet. Është një diferencë prej gati një mijë pikësh për këto dy programe studimi të drejtimeve të ndryshme, ku të tre koeficientet kanë diferenca të dukshme.

Edhe pse rasti që morëm flet për rezultate të larta në të pesë elementët e Maturës Shtetërore, maturanti nuk u shpall fitues në preferencën e tij të parë, që ishte ekonomiks, për shkak të pikëve që grumbulloi. Ai u shpall fitues në preferencën e dytë (Drejtësi), ku koeficientet ishin maksimalë dhe prioritet i profilit të shkollës së mesme.

Pra, megjithëse maturanti ishte i profilit shoqëror, zgjodhi si preferencë të parë drejtimin natyror duke dhënë provime me zgjedhje të profilit shoqëror.

Ky shembull tregon se së pari maturanti duhet të ruajë profilin e shkollës së mesme; së dyti, duhet të kërkojë të japë provime me zgjedhje ato lëndë që i përshtaten programit të studimit që dëshiron të ndjekë.

Më poshtë po japim tabelën e plotë të përzgjedhjes së 10 programeve të studimit sipas radhës së preferencave të maturantit të mësipërm me rezultatet: D1 = 8.64 ; D2 = 8.2 ; Z1 = 8.85 ; Z2 = 9.68 ; M = 9.41

SHM KSH Z1 KZ1 Z2 KZ2 Dega Pikë

Drejtim shoqëror 1.2 Njohuri për shoqërinë 1 Ekonomi – Filozofi 1 Ekonomiks 5003

Drejtim shoqëror 1.4 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi – Filozofi 1.3 Drejtësi 6083.9

Drejtim shoqëror 1.4 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi – Filozofi 1.3 Gazetari 6083.9

Drejtim shoqëror 1.2 Njohuri për shoqërinë 1 Ekonomi – Filozofi 1 Administrim – Biznes 5003

Drejtim shoqëror 1.4 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi – Filozofi 1.3 Shkenca politike 6083.9

Drejtim shoqëror 1.4 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi – Filozofi 1.3 Psikologji 6083.9

Drejtim shoqëror 1.4 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi – Filozofi 1.3 Punë sociale 6083.9

Drejtim shoqëror 1.2 Njohuri për shoqërinë 1 Ekonomi – Filozofi 1 Farmaci 5003

Drejtim Shoqëror 1.3 Njohuri për shoqërinë 1 Ekonomi – Filozofi 1.3 Financë Kontabilitet 5531

Drejtim Shoqëror 1.3 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi – Filozofi 1.3 Anglisht 5821.4

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›