E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specializimet e mjekësisë, ndryshojnë rregullat

Konkurrimi, senati akademik i Universitetit të Tiranës ka miratuar sot rregulloren e re

Specializimet afatgjata në mjekësi, për studentët që arsimohen pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, do të organizohen në një mënyrë të re. Lajmi është konfirmuar nga Universiteti i Tiranës.

Risitë në fazën e specializimeve do të hyjnë në fuqi në vitin e ri akademik. Fakulteti i Mjekësisë bëri disa propozime lidhur me studentët që do të fitojnë të drejtën e specializimit dhe senati i UT-së gjatë mbledhjes së djeshme i ka miratuar. Sipas pjesëmarrësve në takim, nëse më parë specializantët duhet të kalonin një test të përgjithshëm, zhvilluar dhe administruar në rang fakulteti, tashmë testi do të jetë më pak i përgjithshëm dhe më shumë specifik. Kjo do të thotë se për një specializim të caktuar në një fushë të caktuar, provimi do të organizohet, zhvillohet dhe menaxhohet nga departamenti dhe jo nga fakulteti. Po ashtu edhe pyetjet e testimit do të jenë më specifike për fushën e kërkuar, sigurisht pa anashkaluar dhe pyetjet e përgjithshme. Por profilizimi do ta ketë bazën në specifikën e fushës, ku studenti do të jetë i interesuar për të bërë specializimin.

Vendimi i senatit

Senati akademik i Universitetit të Tiranës ka miratuar dje rregulloren e re të specializimeve për Fakultetin e Mjekësisë. Deri më tani, pranimi për programet e specializimeve kryhej në bazë të një provimi të përgjithshëm dhe të vetëm, e më pas kandidatët fitues shpërndaheshin në departamentet e këtij fakulteti. Senati akademik, si organi kompetent për miratimin e rregullores, në mbledhjen e tij të datës 30.07.2010 mori vendimin që mënyra e zhvillimit të konkursit të jetë sipas propozimit të këshillit të profesorëve dhe përgjegjësve të departamenteve, pra konkurrimi të bëhet pranë departamenteve përkatëse. Senati akademik e miratoi këtë propozim dhe procedura e re do të ndiqet nga viti i ardhshëm akademik.

Propozimi

Shefat e departamenteve dhe këshilli i Fakultetit të Mjekësisë propozuan që konkurrimi për specializimet afatgjata të zhvillohet në bazë departamenti dhe jo në bazë fakulteti.

Arsyetimi i këshillit të profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe i përgjegjësve të departamenteve, përveç decentralizimit, ishte specifika e këtyre departamenteve. “Duke qenë se specializimet afatgjata kanë qëllimin e vazhdimit të studimeve në një fushë të caktuar të mjekësisë, pra janë studime profesionalisht të orientuara, organizimi i një konkursi të përgjithshëm e humbet nocionin e specializimit në një fushë të caktuar”, përcaktohej në propozimin e tyre.

Sakaq, pak kohë më parë Ministria e Shëndetësisë lëshoi një urdhër për të gjithë specializantët, të cilëve edhe pse u ka përfunduar afati, qëndrojnë ende brenda shërbimeve të spitalit.

Nisur nga mbingarkesa e specializantëve që qëndrojnë në Tiranë, por edhe e mjekëve vullnetarë, Ministria e Shëndetësisë ka përgatiti një urdhër, në të cilin theksohet se të gjithë ata të cilët aktualisht punojnë të paregjistruar në një nga shërbimet e qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”, duhet të bëhen të rregullt, të largohen në vendet ku janë deleguar për të kryer specializimin, apo të gjejnë mënyra të tjera për të punuar pranë strukturave të tjera spitalore.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›