Specilistët e shëndetësisë dezinfektojnë ambientet e doganës së Kapshticës
I është dashur më shumë se 48 orë kohë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Korçë për të marrë masat e para kundër gripit të derrave. Natyrisht pika kufitare e Kapshticës ka qenë në qendër të vëmendjes, ku një grup specialistësh të këtij institucioni kanë shkuar me maska për të nisur marrjen e masave dhe dezinfektimin e të gjitha ambienteve të pikës së kalimit kufitar.
Grupi prej 6 personash ka shkuar gjatë paradites së djeshme pranë vendkalimit kufitar ku kanë pajisur fillimisht me maska efektivat e policisë, ndërkohë që ka nisur dezinfektimi me pompa në të gjithë territorin që lidh Shqipërinë me një vend fqinj anëtar të Bashkimit Europian siç është Greqia. Gjithashtu, janë bërë publike emrat e shteteve nga vjen rreziku, ndonëse autoritetet kufitare në Kapshticë bëjnë të ditur për gazetën se gjatë 48 orëve të fundit nuk ka kaluar asnjë shtetas i huaj nga vendi i origjinës të gripit të derrave. Gjatë ditës së djeshme është ngritur dhe një karantinë pranë ambienteve të spitalit të Bilishtit për të trajtuar të dyshuarit e mundshëm me simptomat e gripit të derrave, që mund të hyjnë nëpërmjet vendkalimit kufitar të Kapshticës. Përsa iu përket udhëtarëve të shumtë që hyjnë dhe dalin nëpërmjet kësaj pike, autoritetet shëndetësore që janë vendosur në të njëjtin radhë me efektivat e policisë, pyesin për çdo rast udhëtarët nëse kanë temperaturë apo shenja të një gripi për të parandaluar përhapjen e këtij gripi mjaft të rrezikshëm për njerëzit. Përsa i përket karantinës në qytetin e Bilishtit, ajo është ngritur brenda ambienteve të spitalit të këtij qyteti, ndërsa aty ndodhen disa lloj medikamentesh, maska dhe gjithçka e nevojshme për të përballuar një sëmundje të tillë epidemiologjike. Ndërkaq, drejtuesit e shëndetit publik në Korçë nëpërmjet specialistit Gjergji Çekrezi i kanë bërë thirrje qytetarëve të rajonit të jenë më të vëmendshëm në drejtim të higjienës personale, por dhe asaj në banesat e tyre për të shmangur sa më tepër këtë grip që ka vënë në alarm gjithë botën ditët e fundit. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, duke përfituar nga dita e pushimit është bërë dezinfektimi i konviktit të universitetit Fan Noli, si dhe i disa shkollave 9- vjeçare dhe të mesme të qytetit të Korçës. Çekrezi ka bërë të ditur se në ditët në vazhdim, masat pritet të shtohen dhe më shumë, të cilat do të përfshijnë përveç pikave kufitare dhe institucione të tjera duke filluar nga spitalet, ambientet publike etj.