E Shtunë, 31 Tetor 2026

USAID kërkon menaxhimin e të ardhurave të pushtetit vendor

Përmirësimi i procesit të parashikimit të ardhurave dhe menaxhimit të shpenzimeve publike përmes buxhetimit afatmesëm nga njësitë e pushtetit vendor, ishin në qendër të seminarit organizuar nga Ministria e Financave dhe Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara (USAID). Duke vlerësuar rëndësinë e përgatitjes së programeve buxhetore afatmesme për qeverisjet vendore si dhe vështirësitë që mund të ndeshen nga ekspertët e financave dhe punonjës te tjerë të administratës vendore, të cilët do të merren direkt me përgatitjen e tyre, ekspertë të Ministrisë se Financave dhe USAID-it shpjeguan detajet për hartimin e tyre. Zv/ministri i Financave Sherefedin Shehu u shpreh se projekti për buxhetimin afatmesëm të njësive të qeverisjes vendore, që mbështetet nga USAID-i, synon ngritjen për herë të parë të një themeli procedural, që do të lidhë më mirë buxhetet afatmesme lokale me politikat e zhvillimit dhe objektivat prioritare për këtë periudhë.  Shehu vlerësoi si një element tjetër të rëndësishëm, performancën e vetë njësive të qeverisjes vendore. Nëse njësitë e qeverisjes vendore arrijnë të hartojnë në kohë programet buxhetore afatmesme, do të përfitojnë më tepër fonde, por nëse nuk do t'i realizojnë ndaj tyre do të ketë penalizime, veçoi Shehu. Drejtori i Programit të Qeverisjes Vendore në Shqipëri (LGPA) i USAID-it, David Smith, theksoi rëndësinë që ka  përgatitja e programit buxhetor afatmesëm nga pushteti lokal, pasi ato njohin më mirë territorin ku do të realizohen programet buxhetore afatmesme. Rritja e të ardhurave nga një menaxhim më i mirë i aseteve si dhe mbledhja e tatimeve dhe taksave, do t'u mundësojë bashkive që të përmirësojnë cilësinë dhe efiçiencën e shërbimeve të ofruara qytetarëve dhe bizneseve, deklaroi Smith. Programi i qeverisjes vendore në Shqipëri (LGPA) i USAID-it punon me dhjetë bashki në të gjithë Shqipërinë. Ai synon që të mbështesë zhvillimin e ekonomive vendore, përmirësimin e qeverisjes dhe të forcojë pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe sektorit privat në zhvillimin vendor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›