E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset me kaçavidë vetëm se i zuri rrugën e makinës



Një tjetër vihet në pranga

Artan CENA
TIRANË - Një sherr banal për pak sa nuk i ka kushtuar jetën një të riu në Tiranë, pasi është goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit me kaçavidë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Paskuqan vetëm se i riu i kishte bllokuar rrugën për disa sekonda agresorit të tij që po udhëtonte me makinë. Kjo ngjarje është shoqëruar dhe me dy te tilla të ndodhura në Durrës, po me kaçavidë. Në qytetin bregdetar është arrestuar një 20-vjeçar pasi ka goditur dy persona, pas një sherri të ndodhur në vendin e quajtur Plepat. Ndërkaq, një sherr për pronën ka sjellë të plagosurin e katërt nga kaçavida, por ai nuk ka marrë dëmtime të rënda. Kjo ngjarje ka ndodhur në fshatin Tapizë. Burime nga policia thanë se janë shtuar rastet e plagosjeve me kaçavidë, pasi dhe nëse ata kapen në posedim të saj nuk i kap ligji dhe mund të shpëtojnë, pasi nuk quhet armëmbajtje pa leje.
Plagosja Tiranë
I ka bllokuar rrugën për disa sekonda, ka marrë disa goditje me kaçavidë dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme është bërë arrestimi i 46-vjeçarit Shkëlqim Bukaçi. Lajmi është bërë i ditur nga burime policore. Sipas tyre, 28-vjeçari Artan Kaçi, ka qenë duke ecur në këmbë në rrugë dhe për një moment i ka bllokuar kalimin të arrestuarit. Ky i fundit ishte duke kaluar me makinë. Këtu ka nisur sherri mes të dyve. Pasi janë zënë me fjalë fillimisht, Bukaçi ka dalë nga makina me një kaçavidë në dorë. Sapo i është afruar të riut, agresori e ka goditur disa herë me thikë. I plagosuri ka rënë në tokë, ndërkohë që banorë të zonës dhe kalimtarë i kanë dhënë ndihmën e parë dhe e kanë dërguar në Spitalin Ushtarak. Menjëherë është njoftuar dhe policia. Uniformat blu kanë bërë të mundur ndalimin e agresorit dhe më pas e kanë dërguar në qelitë e Policisë së Tiranës.
Ngjarja Durrës
Disa orë më vonë ka ndodhur gati e njëjta ngjarje. Tre persona janë përfshirë në një sherr për motive banale, ku dy prej tyre janë plagosur dhe një ka rënë në pranga. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur se, dje në orën 06:00, është bërë arrestimi në flagrancë i Armando Psatha, 20 vjeç, banues në Arapaj të Durrësit, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tij është bërë pasi rreth orës 01:45, gjatë një konflikti për motive të dobëta në unazën Plepa-Durrës, ka goditur në fyt me kaçavidë shtetasin Sh. K., 46 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë nën kujdesin e mjekëve, si dhe ka dëmtuar lehtë të riun me inicialet E. F., 21 vjeç. Ndaj tij, policia ka ngritur akuzën e “vrasjes së mbetur në tentative”.
Plagosja për pronat
Dy persona janë vënë në hetim në gjendje të lirë sepse pas një sherri të ndodhur për pronat kanë plagosur dhe kanosur njëri-tjetrin. Burime nga Policia e Durrësit thanë se 30-vjeçari me inicialet F. B. dhe B. U., 54 vjeç, të dy nga fshati Tapizë, Krujë, janë vënë në hetim. Uniformat blu thanë se hetimet ndaj 30-vjeçarit kanë nisur pasi dyshohet se në orën 17:30, pas një konflikti për motive pronësie me 54-vjeçarin, në qendër të fshatit Tapizë e ka fyer e goditur me kaçavidë këtë të fundit. Po kështu në grindje e sipër, i plagosuri ka fyer e kanosur me armën e tij të gjahut, çifte të riun. Hetimet ndaj të dyve kanë nisur për fyerje dhe dëmtime të tjera me dashje.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›