E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spektakël në barazim

Sfida spektakolare ndërmjet Arsenalit dhe Barcelonës, e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Londër, ka përfunduar pa fitues, 2:2. Kampionët e Evropës kanë dhuruar ‘show’ në pjesën e parë, të lojës së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke dominuar totalisht ndaj klubit anglez, që dukej si i hutuar nga “furtuna” katalunase.

Dominimi i spanjollëve u shpërblye në fillim të pjesës së dytë. Qysh në sekondën e 20-të, sulmuesi Zlatan Ibrahimovic befason portierin Almunia (pati pritje të shkëlqyeshme në pjesën e parë) me një parabolë. Ato që nuk i bëri në pjesën e parë, ish futbollisti i Inter i bëri në të dytën. Vetëm 13 minuta më vonë, sulmuesi suedez me prejardhje boshnjake realizoi për herë të dytë, një tjetër super-gol.

Në 20 minutat e fundit, “Topçinjtë” e morën timonin në dorë. Ata së pari e ngushtuan rezultatin me anë të zëvendësuesit Walcott (69'), e më pas e barazuan rezultatin nga penalltia e dyshimtë, me kapitenin Fabregas (85'). Një minutë më parë, pikërisht sulmuesi spanjoll u ndal në zonë nga mbrojtësi Puyol, që njëkohësisht u ndëshkua me karton të kuq.

Në ndeshjen e kthimit, që zhvillohet të martën që vjen, Arsenalit do t’i mungojë sigurt Fabregas, për shkak të diskualifikimit, ndërsa janë në dyshim dy lojtarët që u lënduan të mërkurën dhe që dolën nga loja para kohe, Arshavin e Gallas. Ndërsa, Barçës do t’i mungojnë dy qendërmbrojtësit, Puyol e Pique, të diskualifikuar.

Në ndeshjen tjetër, Inter e mposhti CSKA Moskën, në një ndeshje të vështirë dhe mjaft të mbyllur nga skuadra ruse. Pas rasteve të shumta, golin e fitores për Nerazzurrët e realizoi sulmuesi argjentinas Diego Milito, në minutën e 20-të të pjesës së dytë. Portieri mysafir Akinfeev ka qenë protagonist me disa pritje të shkëlqyeshme. Pas një jave, në takimin e dytë, CSKA do të jetë e hendikepuar pa lojtarin kryesor, Milos Krasic, që do të mungojë për shkak të kartonëve.

Liga e Kampionëve
Çerekfinalja – E mërkurë
Arsenal – Barcelona 2:2
Inter – CSKA 1:0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›