Beqja: Ja gënjeshtra e Berishës me shpërblimet
Deputeti socialist Ilir Beqja akuzoi kryeministrin Berisha se gënjeu pensionistët dhe buxhetorët për shpërblimin e fundvitit. Sipas tij, shpërblimi i marrë sivjet ishte 30 për qind më i ulët se shpërblimi i marrë para pesë vjetësh. “Gënjeu përsëri dhe tashmë prej muajsh jemi dëshmitarë që Sali Berisha është në garë me gënjeshtrat e tij. Gënjeu para deputetëve të tij, të cilët nuk pipëtinë, sepse Jozefina ua ka zënë gojën me shpërblimet që kanë marrë. çfarë kartoline të Vitit të Ri ka qeveria e Sali Berishës për 70 mijë familjet e bizneseve të vegjël? Përfshirje në skemën e TVSH-së, shtrenjtim të energjisë elektrike me 22 % dhe sipas projektit më të fundit dy kasa regjistruese. Edhe pensionistëve, Sali Berisha po u jep një shpërblim 30 % më të ulët se shpërblimi që kanë marrë para 5 vjetësh, në vitin 2004. Por Sali Berisha duhet të tregojë të vërtetën edhe për fondin e shpërblimeve të këtij viti”, u shpreh Beqja.