E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spektakli kundër fatit

Kanë ardhur në mënyra krejt të ndryshme në finale, por sidoqoftë janë dy skuadrat që do të luajnë titullin Kampion Evrope. Spanja dhe Gjermania do të sfidojnë njëra-tjetrën në Vjenë. Skuadra e Luis Aragones ka arritur finalen e tretë në historinë e saj dhe të parën pas 24 vjetësh. Për gjermanët kjo është finalja e gjashtë, ndërsa suksesi i fundit është ai i 1996-ës, ku në finale mundi Republikën Çeke me një “gol të artë”.

Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka rikuperuar plotësisht mesfushorin Frings dhe do të hedhë në fushën e lojës të njëjtën skemë që ka përdorur ndaj Portugalisë e Turqisë, atë 4-2-3-1. Në mbrojtje do të jenë Fridrih, Mertesaker, Metzelder dhe Lam. Përpara mbrojtjes do të jetë i rikuperuari Frings dhe Hitzperger. Ndërsa përpara janë Zhvajnshtajger, Podolski dhe Balak (sigurisht nëse do të rikuperohet), të cilët do të mbështesin sulmuesin e vetëm, Lukas Podolski. Nga ana tjetër, Luis Aragones nuk do të ketë në dispozicion golashënuesin më të mirë të Euro 2008, David Vijën, i cili ka dalë i dëmtuar nga ndeshja gjysmëfinale me Rusinë. Por në vend të sulmuesit të Valencias nuk do të jetë as më pak e as më shumë, por Sesk Fabregas, njeriu që ndihmoi shumë Spanjën të kalonte Italinë në çerekfinale dhe më pas Rusinë në gjysmëfinale. Pjesa tjetër e formacionit do të jetë e konfirmuar me lojtarët që nisën ndeshjen ndaj Rusisë.

Gjermania ka pasur një rrugë më të lehtë, duke ardhur deri në këtë finale, por ka vuajtur shumë. Në grupin më të lehtë të Evropianit, kombëtarja e Joakim Lëv ka zënë vetëm vendin e dytë, duke vuajtur shumë edhe ndaj Austrisë, që për nga niveli futbollit që tregoi, nuk ishte një skuadër e denjë për një eveniment të tillë. Në çerekfinale gjermanët mundën Portugalinë, duke bindur disi, por fati që i karakterizon gjithmonë ata, u vërtetua më së miri ndaj Turqisë, që për lojën që zhvilloi nuk meritonte kurrsesi të humbiste. Një rrugë krejt tjetër ka ndjekur Spanja, që ka dalë nga grupi me pikë të plota dhe në çerekfinale ka arritur të eliminojë kampionët e botës me anë të 11-metërshave, por ka dominuar në fushën e lojës. Ndaj Rusisë “demat” ishin të papërmbajtshëm, duke treguar potencialin e tyre. Nëse ky Evropian do të kishte vërtet një fituese morale, ajo do të ishte Spanja.

Aragones: “Do të fitojmë, sepse jemi më të mirët”

Trajneri i Spanjës, Luis Aragones, në prag të sfidës me Gjermaninë është shprehur se skuadra e tij do të arrijë të triumfojë. “Unë mendoj se Spanja do të arrijë të fitojë, sepse jemi skuadra më e mirë dhe ashtu siç e kemi nisur këtë kompeticion, ashtu edhe do ta mbarojmë, - është shprehur “plakushi”. - Nuk i kemi aspak frikë gjermanët, pasi ne hyjmë gjithmonë në fushën e lojës për të fituar. Nuk do të kemi një lojtar si Vija, por zëvendësuesi i tij, Fabregas, mendoj se është një lojtar me shumë kualitet.

Gjermania në ankth për Balak

Mihael Balak nuk ka marrë pjesë në stërvitjen e fundit me skuadrën gjermane një ditë përpara ndeshjes finale, pas një problemi në pulpë. Kapiteni i gjermanëve ka ndjerë dhimbje edhe gjatë ndeshjes me Turqinë, por ka preferuar të qëndrojë në fushën e lojës, pasi skuadra e tij arriti të kualifikohej vetëm në minutën e fundit. Balak nuk ka punuar me pjesën tjetër të skuadrës dhe ka punuar veçmas për të rikuperuar. Prezenca e tij në fushën e lojës do të vendoset vetëm në minutat e fundit. Për Balak duket se mallkimi për mos të luajtur në finale nuk ka ikur akoma, pasi ai humbi edhe finalen e Kupës së Botës në 2002-in, për shkak të skualifikimit.

Bilanci Gjermani-Spanjë

19 ndeshje, 8 fitore Gjermania, 6 barazime, 5 fitore Spanja, golat: 27-21; Ndeshja e parë më 1935 Gjermani-Spanjë 1-2, e fundit më 2003 Spanjë-Gjermani 3-1. E fundit në fushë asnjanëse, më 1994 në Botëror, në Çikago, 1-1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›