E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndetësia dhe arsimi, Shqipëria shërbimet më të shtrenjta

Sipas raporti të Bankës Qendrore, çmimet e ushqimeve në vend janë të njëjta me ato të Greqisë, kurse shërbimet janë më të shtrenjta se në dy shtetet fqinjë, pasi nuk subvencionohen nga shteti

Çmimet e produkteve ushqimore në vendin tonë janë të njëjta me çmimet e vendit fqinj, Greqisë, ndërkohë që Italia paraqet çmime më të zbutura. Çmimet e njëjta të ushqimeve mes dy vendeve argumentohet nga ekspertët me faktin, që pjesa dërmuese e tyre importohet nga Greqia. Por shqiptarët, në krahasim me këto dy shtete, shpenzojnë më shumë të ardhura për ushqime dhe një pjesë e vogël e të ardhurave të tyre shkojnë për argëtim. Janë këto konkluzionet që paraqiten në raportin krahasues të Bankës së Shqipërisë për tendencat e çmimeve. Përveçse kësaj, raporti nxjerr në pah edhe çmimet në grupet e tjera të shportës, nga ku vihet re që çmimet e veshjeve në Greqi dhe Itali shënojnë ulje në festat e fundvitit apo gjatë sezonit turistik, gjë e cila nuk ndodh në vendin tonë. Kurse për sa u përket shërbimeve në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, ato kanë një tendencë rritëse më të lartë në vendin tonë, në krahasim me dy vendet e tjera. Po ashtu, në raport thuhet se inflacioni, relativisht i lartë i shënuar në Greqi, mund të importohet lehtësisht edhe në Shqipëri, pasi importet e ushqimeve nga Greqia zënë një peshë të konsiderueshme në totalin e importit të ushqimeve në Shqipëri. Po ashtu, sipas teorive ekonomike, përmirësimi i standardit të jetesës së popullsisë, çon në ulje të peshës së shpenzimeve për të mirat primare (ushqime, banesa etj.) dhe në rritje të peshës së shpenzimeve për të mira luksoze. Si rrjedhojë, popullsitë relativisht të varfra shpenzojnë një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre në të mira primare dhe një pjesë më të vogël në argëtim, shëndet, arsim etj.

Shërbimet shëndetësore, çmimet më të larta në Shqipëri

Rritja e shpejtë e çmimeve të grupit “shëndeti”, të shportës së mallrave të konsumit, në rastin e Shqipërisë në krahasim me dy vendet e tjera mund të shpjegohet nga konkurrenca e ulët në këtë treg dhe nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve mjekësore. Pjesa më e madhe e produkteve dhe pajisjeve mjekësore në Shqipëri janë të importuara. Depot e barnave në përgjithësi, punojnë duke fituar ekskluzivitetin për disa artikuj nga firmat furnitore, gjë që çon në uljen e konkurrencës në këtë treg. Në Greqi, importet përbëjnë 95 për qind të tregut, ndërsa në Itali 70 për qind e pajisjeve mjekësore janë të importuara. Sektori publik, kryesisht spitalet publike, mbulon 70 për qind të totalit të blerjeve mjekësore në Greqi. Në Itali, spitalet publike mbulojnë rreth 75 për qind të shitjeve të pajisjeve mjekësore dhe pjesa tjetër mbulohet nga spitalet private. Të gjitha këto mund të na ndihmojnë për të kuptuar më mirë se përse çmimet për këtë grup po rriten më shpejt në Greqi, sesa në Itali.

Shërbimet e arsimit, tendencë rritjeje dy herë në vit

Në këtë grup përfshihen të gjithë shërbimet që kanë të bëjnë me arsimin. Ky grup ka një peshë 0.1 për qind në shportën e të mirave të konsumit në Shqipëri. Duke krahasuar tendencat e çmimeve të këtyre shërbimeve për Shqipërinë me ato të Greqisë dhe të Italisë, Banka e Shqipërisë konstaton një tendencë më të shpejtë rritëse të çmimeve në Shqipëri. Kjo gjë mund t’i atribuohet momentit të hyrjes së shkollave dhe institucioneve edukative private në këtë treg, të cilat kanë tarifa më të larta në krahasim me ato

shtetërore. Në Greqi dhe në Itali shihet një rritje sezonale në muajin shtator, që është edhe fillimi i vitit akademik. Ndërkohë, në Shqipëri shihet një rritje çmimesh edhe gjatë muajit janar, që shpjegohet me fillimin e semestrit të dytë shkollor. Ecuria e çmimeve të këtij grupi në rastin e Shqipërisë, si dhe ndryshimet jo të rregullta të çmimeve gjatë viteve mund të shpjegohen me hyrjen e shërbimeve të reja dhe ndoshta edhe me boshllëqe ose mungesa në strukturat rregullatore dhe ato legjislative. Prania e këtyre të fundit mund të ndihmonte në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve të këtij grupi.

Veshjet, kemi çmimet më të lira

Edhe pse çmimet e veshjeve në vendin tonë janë më të lira se në dy shtetet e tjera, në vendin tonë nuk ka sezonalitete të theksuara të uljes së çmimeve. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, tendenca e çmimeve të produkteve të grupit “veshje dhe këpucë” është rënëse në rastin e Shqipërisë, dhe rritëse në rastin e Greqisë dhe atë të Italisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo shpjegohet me ndryshimet që ekzistojnë në cilësinë e këtyre produkteve, të tregtuara në këto vende. Peshat për këtë grup të shportës së mallrave të konsumit janë pothuajse të njëjta për Greqinë dhe Italinë, dhe më të ulëta për Shqipërinë. Në indeksin e çmimeve të Greqisë vihet re një sezonalitet i lartë. Ky sezonalitet mund të shpjegohet me uljen e çmimeve pas festave të fundvitit, në janar dhe në sezonin e verës, kur aktiviteti i turizmit është më i lartë. Sezonaliteti vihet re edhe në Shqipëri, por jo aq i theksuar sa në rastin e Greqisë. Kurse qëndrueshmëria në IÇK-në italiane mund të shpjegohet me reputacionin që ka Italia, si një shtet i njohur për shtëpitë e modës dhe si eksportues i këtyre mallrave.

Mbiçmimi i lekut shpëton çmimet e pajisjeve shtëpiake

Çmimet e pajisjeve shtëpiake në vendin tonë kanë tendencë më të lartë uljeje se në dy shtetet e tjera. Në raportin e Bankës së Shqipërisë shpjegohet se tendenca rënëse e çmimeve për tregun shqiptar mund të shpjegohet nga liberalizimi i tregut dhe nga mbiçmimi i lekut. Për sa i përket grupit “hotele, kafene dhe restorante”, evidentohet lehtësisht që të tre shtetet demonstrojnë të njëjtën tendencë rritëse të çmimeve. Në të tre rastet mund të dallohet sezonaliteti. Megjithatë, e vetmja diferencë që duhet theksuar këtu, është fakti që rritja e çmimeve në Shqipëri dhe në Itali ndodh në muajin gusht, muaj i cili karakterizohet nga turizëm i lartë. Nga ana tjetër, sezoni turistik fillon më shpejt në Greqi, që në muajt prill e maj, domethënë rreth festimit të Ditës së Pashkëve.

Në treg edhe operatori i katërt

Tregut të telefonisë celulare në vend pritet t’i shtohet edhe një kompani tjetër, bënë të ditur burime zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Sipas burimeve të mësipërme, brenda 2008-ës do të përgatitet i gjithë dokumentacioni për tenderin e  hyrjes së një operatori të katërt. Ndërkohë që burimet shtojnë se licencimi i operatori të katërt GSM pritet të ketë një efekt konkret në uljen e çmimeve të telefonisë celulare në Shqipëri. Aktualisht, në tregun vendas operojnë tri kompani celulare: “Albanian Mobile Communications” operon në vendin tonë që nga muaji gusht i vitit 2000, “Vodafone Albania” që nga viti 2001 dhe “Eagle Mobile”, pjesë e paketës së privatizimit të Albtelekomit, që nga muaji mars i vitit 200

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›