Obama të më puthë të ndenjurat!

“Obama të më puthë të ndenjurat nëse do mbështetjen time”. Janë këto fjalët e ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, i cili mesa duket “nuk e ka kapërdirë” ende idenë që senatori me ngjyrë mundi bashkëshorten e tij në garën demokrate për kandidat për në Shtëpinë e Bardhë. Klinton është kaq i inatosur, saqë u ka rrëfyer miqve të tij të ngushtë, që Obama duhet t’i lutet nëse kërkon përkrahjen e tij. Sipas “Associated Press”, inati i ish-presidentit amerikan është ende aq i madh, saqë edhe aleatët e tij më besnikë janë të shokuar nga sjellja e tij kundrejt Obamës dhe besojnë se në këtë mënyrë ai po rrezikon të dëmtojë reputacionin e tij, për shkak të kësaj papajtueshmërie. Një drejtues i lartë në radhët e demokratëve, i cili ka punuar për Klintonin, ka treguar se ditët e fundit retorika e ish-presidentit është bërë edhe më e ashpër. “Obama të më puthë të ndenjurat, në këmbim të mbështetjes time”, - ka thënë Bill sipas tij. Një burim i dytë tha për “The Telegraph”, se ish-presidenti vazhdon të mbajë distancë me senatorin, pasi nuk beson se ai mund të fitojë në zgjedhjet e nëntorit. Bill Klinton lëshoi javën e kaluar një deklaratë shpresëdhënëse, ku shprehej se është padyshim i angazhuar të bëjë gjithçka mundet dhe që do t’i kërkohet, për të siguruar që Obama të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por senatori i Illionisit reagoi hapur ndaj mungesës së çiftit Klinton gjatë evenimentit të së premtes. Ish-presidenti dhe zonja e parë preferuan të marrin pjesë në festimet e ditëlindjes së Nelson Mandelës në Londër, në vend të takimit me Obamën. “Unë e di se sa shumë kemi nevojë për Billin dhe Hilarin si parti. Ata kanë bërë një punë të mrekullueshme. Kemi tmerrësisht nevojë për ta”, - tha Obama. Ndihmësit e tij thonë se deri më tani ai është fokusuar tek çimentimi i marrëdhënieve me zonjën Klinton së pari, ndërsa kërkon që gjërat të rrjedhin natyrshëm me bashkëshortin e saj. Analistët thonë se inati i Bill Klinton nisi që gjatë betejës së zgjedhjeve paraprake, ku disa prej komenteve të tij kundër Obamës u komentuan si raciste nga shtypi amerikan. Por zemërimi i tij në rritje i ka shokuar miqtë e ish-presidentit. “Ai ka kohë që është i inatosur, por të gjithë mendonim se do t’i kalonte pas një farë periudhe. Por jo. Kam folur me njerëz të cilët kontaktojnë vazhdimisht me të, dhe më kanë thënë se është i inatosur si dreqi”, - tha një prej anëtarëve të Partisë Demokratike për gazetën. Sipas tij, Bill është shprehur se është Obama, ai që duhet t’i afrohet dhe të kërkojë ndihmë. Miqtë e ish-presidentit amerikan thonë se ai duhet ta kapërcejë këtë gjë dhe ta pranojë fitoren e Obamës, ashtu siç bëri Hilari. Por sipas burimeve brenda demokratëve, pavarësisht sondazheve që e tregojnë në avantazh ndaj kandidatit republikan Xhon MekKein, Bill nuk beson se ai mund të fitojë zgjedhjet presidenciale.