Një prekje drejt majave

Janë dashur plot 11 vjet përpjekje për të realizuar ëndrrat e tij, por tashmë balerini shqiptar po arrin majat e suksesit. Bëhet fjalë për Danilo Zekën, kërcimtari që e nisi karrierën e tij në Teatrin e Operës dhe Baletit. Një djalosh i qetë në pamje të parë, por që falë lëvizjeve energjike dhe egos së tij ka ecur shumë përpara, duke kapur çdo shans që të ofron bota e artit. Tanimë ka gjithçka që kishte ëndërruar për profesionin e tij. Prej katër muajsh është shpallur balerini i parë i trupës së famshme të Teatrit të Operës dhe Baletit në Athinë. Emri i tij lakohet vetëm për role kryesore, dhe sukseseve të tij u kushtohen faqe të tëra në shtypin grek e më gjerë. Vetëm disa ditë më parë ai ka interpretuar nën petkun e Orestin, në një performancë mbresëlënëse. Nga kritika vendase, por jo vetëm, balerini është vlerësuar për lëvizjet e tij që duket sikur flasin, një tjetër arritje në adresë të shqiptarit. Dy rolet më të fundit të balerinit Zeka në trupën e Teatrit të Operës dhe Baletit të Athinës janë pikërisht Oresti në tragjedinë “Elektra” dhe Alberti tek “Zhizel”. Gjatë muajit prill, Orestit të Danilo Zekës iu kushtuan kopertina revistash e faqe gazetash prestigjioze në Greqi dhe shfaqjeve të “Elektrës” iu adresuan shumë vlerësime të kritikëve dhe spektatorëve që e ndoqën. Ndërsa muajin e kaluar, “Zhizel” dhe historia e dashurisë ku Danilo portretizoi të dashuruarin, Albertin, ushqeu shijet e mijëra artdashësve që prej vitesh ndjekin variante të ndryshme të kësaj pjese të famshme baleti. Por me gjithë suksesin e padiskutueshëm në vendin fqinj, Danilo Zeka, i cili rrugëton thuajse rregullisht dy herë në vit nga Athina për në Tiranë, këtu, në vendin e lindjes, njihet fare pak. Tashmë është 30 vjeç. Historia e jetës dhe karrierës së tij ngjason me historisë e çdo artisti shqiptar që është larguar nga Shqipëria, për të kërkuar suksesin në skenat ndërkombëtare. Danilo është larguar nga Tirana për në Greqi në vitin 1997, një moment kritik ky, ku ëndrrat dhe shpresat e të gjithë shqiptarëve ishin në pikëpyetje. Danilo është ndoshta ndër të paktët balerinë të karrierës, i cili baletin megjithëse e kishte shumë pasion, filloi ta mësojë në mënyrë sistematike jo në moshën 5-vjeçare, ashtu si gjithë fëmijët e tjerë, por në shkollën e mesme. Pasi përfundoi Shkollën e Baletit, ai u emërua në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, ku interpretoi për pak kohë. Pas një ftese të papritur në vitin 1997 për në Zvicër, për një specializim bashkë me dy kolegë të tjerë, ku Danilo qëndroi dy muaj, ai u rikthye në Tiranë, pikërisht në momentin e trazirave të ‘97-ës. Në një intervistë të para pak muajve në gazetën “Albania Press”, që botohet në Greqi, Danilo thotë se, “për fat të mirë, kishim një mësues që kishte ardhur në Greqi më herët, bashkë me familjen e tij. Ai më bëri një ftesë mua dhe shokut tim për të ardhur këtu. Na dhanë vizë tremujore, e cila për ne ishte rasti që prisnim”. Edhe pse më vonë ai pati oferta për të shkuar në Angli, në trupën e baletit të Teatrit Mbretëror në Londër, si dhe në Amsterdam, Danilo nuk i ka pranuar. Duket ka bërë një zgjedhje që i shkon për shtat karakterit të tij, një rrugë ku bashkohen pasionet. “Kam një karakter që dua të jetoj edhe jetën. Në Evropë kërkesat profesionale janë të mëdha dhe jeta atje është më monotone se këtu, për faktin e thjeshtë se punon shumë dhe nuk të mbetet aspak kohë për veten. Nga kjo anë, në Greqi ndihem shumë i kënaqur, pasi arrij të argëtohem, të takohem me njerëzit dhe miqtë e mi”, thotë Danilo, balerini shqiptar që kapërceu të gjithë vështirësitë e një artisti emigrant dhe ka interpretuar në vepra si “Karmen” apo “Zorba”, me kompozitorin grek Miki Theodhoraqis, apo në “Liqenin e mjellmave”, me koreografin e njohur rus, Ilea Zaleski. Ka marrë pjesë në shfaqjet klasike më të rëndësishme të kryeqytetit helen, por dhe në Evropë, si dhe në aktivitete apo festivale ndërkombëtare.
Të gjithë shqiptarët që jetojnë në Greqi nuk e harrojnë balerinin shqiptar, i cili në shtator të vitit 2004, në Pazarin e Vjetër të Athinës ndezi pishtarin e lojërave paraolimpike. Po ashtu, e kujtojnë mirë portretin e Danilos, kur para pak kohësh u bë pjesë e një fushate publicitare kombëtare në Greqi. Danilo Zeka ishte në qendër të reklamave në metronë e Athinës, në vendet publike e në çdo hapësirë tjetër të përdorur për fushatën. Si një gërshetim mes pasionit të tij për baletin klasik dhe dëfrimeve e atmosferës që fal jeta e famshme e buzukëve grekë, balerini shqiptar nuk ka lënë asnjë rast që i është ofruar, për të kërcyer në të gjithë buzukët e me të gjithë këngëtarët e njohur grekë. Por, a do ta shohim ndonjë ditë në skenën shqiptare të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë Danilo Zekën, pikërisht aty ku e nisi rrugëtimin artistik? Balerini energjik me lëvizje të zhdërvjellëta thotë se nuk do të mendohej fare nëse i bëhet një propozim i tillë. “Më kanë munguar shumë duartrokitjet e vendit tim dhe besoj se kjo nuk më ndodh vetëm mua, por të gjithë kërcimtarëve tanë që jetojnë jashtë Shqipërisë”.