E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarja që do të vishet nga Puff Daddy

Një tjetër vajzë shqiptare po bën namin në pasarelat e Norvegjisë, por edhe gjetkë. Arita Fejzullahu duket se është vërtet me fat, pasi me projektin e radhës ajo bëhet imazhi i një linje veshjesh të reperit të njohur kudo në botë, Puff Daddy

Fatin e saj do e kishte ëndërruar çdo femër tjetër shqiptare! Me kurorën e më të bukurës së Norvegjisë për vitin 2008, me një çmim të fituar në edicionin e 10-të të “Miss Shqipërisë” dhe me një kontratë pune si modele në disa shtete të botës, Arita Fejzullahu, vajza nga Gostivari, ka ditur më së miri që të vërë në funksion armët e bukurisë që ajo i zotëron qysh kur ishte një fëmijë. Ndonëse është rritur në Skandinavi dhe pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar atje, bukuroshja e flet gjuhën shqipe me një elokuencë për t’u admiruar. “Pavarësisht se jeta ime është e lidhur me Norvegjinë, unë nuk e kam harruar kurrë gjuhën time amtare. Kam marrë pjesë në disa konkurse bukurie dhe, më në fund, fitova kurorën e më të bukurës së Skandinavisë. Ky për mua është një vlerësim goxha i madh, pasi jam e para shqiptare që kam fatin të shijoj një shans të tillë”, thotë për gazetën “Korrieri” Arita.

Ajo ka mundur që të bëjë realitet ëndrrën e saj për të marrë pjesë në konkursin e bukurisë “Miss Shqipëria” vetëm pas tre vjetësh. Një kontratë pune trevjeçare si modele, në një kompani prestigjioze në Norvegji, nuk e ka lejuar Aritën që të lëvizë përtej kufirit, për të marrë pjesë në një ndonjë eveniment kulturor. Vetëm tani, pasi ka përfunduar punën e saj, vajza nga Gostivari ka mundur që të çlirohet nga zinxhirët, gjë që i ka lejuar të marrë pjesë edhe tek “Miss Shqipëria 2008”, nga ku nuk doli duarbosh. “Çmimi i kinemasë ishte një vlerësim për mua. Sigurisht që prisja edhe më shumë, por më e rëndësishme ishte pjesëmarrja ime në atë kompeticion, sesa një çmim real. Konkurrenca nuk mund ta mohoj që ishte goxha e madhe, ndërsa vajza fituese ishte një potencial i vërtetë bukurie dhe unë gjej rastin për t’i uruar shumë suksese”, vijon ajo.

Përfundimi i kësaj kontrate pune duket se ka qenë një ogur i mbarë për Arita Fejzullahun, e cila pas pak muajsh do të jetë imazhi i parë shqiptar i veshjeve të linjës “Sean John Clothing Line”, firma e suksesshme në botë e reperit zezak Puff Duddy. Përveç koleksionit të veshjeve sportive dhe atyre enkas për repistët më të suksesshëm të botës së hip-popit. “Në fakt, agjencia ku unë punoja kishte dërguar një set fotografish të miat, në kohën kur unë punoja atje dhe pas disa ditësh mua më telefonon Harvey, menaxheri personal i këngëtarit me ngjyrë. Pas disa ditësh do të nisem drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të qëndroj rreth dy muaj. Fillimisht do më duhet që të stërvitem me metodën e punës, me stilin e tyre dhe me atë që kërkon në fakt Puff Duddy, në mënyrë që të jap maksimumin tim në këtë shans që më është ofruar, e që nuk besoj se asnjë shqiptare tjetër ka mundur ta provojë”, thotë Fejzullahu. Sigurisht që një sprovë e tillë kërkon edhe sakrifica të ndryshme, pasi bukuroshja është tepër e lidhur me familjen e saj dhe ata janë një udhërrëfyes i sigurt në karrierën e saj.

Por Arita e ka bërë tashmë zgjedhjen e saj në jetë. Të qenit një modele dhe një emër i njohur në botën e shou bizit, është beteja për të cilën ajo ka nisur të luftojë me shpresën, që deri në fund do të fitojë në bazë të aftësisë, talentin dhe fatit pa diskutim. “Për hir të modës, unë nuk kam vazhduar as profesionin tim si farmaciste. Unë jam diplomuar në këtë degë këtu në Norvegji, por e kam parë si mënyrën më të mirë për të jetuar modelingut, pse jo edhe këngën pas pak kohësh”, shton ajo. E në fakt, biondina simpatike me trup të hajthshëm dhe sy të qeshur është vënë shpesh në qendër të mediave rozë edhe për një histori të mundshme dashurie mes saj dhe këngëtarit Alban Skënderaj. Dhe për këtë Arita e ka një përgjigje: “Marrëdhëniet e mia me Albanin janë njësoj si një vëlla e motër. Ne të dy jemi njohur gjatë konkursit të bukurisë që u zhvillua në Norvegji dhe aty ai ishte i ftuar, dhe prej asaj dite unë e konsideroj si një shok të ngushtë dhe si një mik që gjithkush do ta kishte zili. Për të qenë e sinqertë deri në fund, unë jam e dashuruar me një tjetër djalosh e në momentin e parë që do të shfaqem me të në media, atëherë do të zbuloj edhe identitetin e tij”, përfundon modelja shqiptare Arita Fejzullahu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›