E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk pranojmë

Prishtina reagon ndaj krijimit të asamblesë së serbëve të Kosovës

“Nuk do të pranojmë parlamentin e krijuar nga serbët e Kosovës, dhe ai nuk do të ketë asnjë efekt ligjor në shtetin e ri të Kosovës”. Ishte ky reagimi i lidershipit shqiptar të Kosovës, një ditë pas krijimit të asamblesë serbe në Mitrovicë. Megjithatë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shprehu frikën se një veprim i tillë mund të destabilizojë situatën në vend dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos reagojnë ndaj veprimit më të fundit që serbët e Kosovës ndërmorën si kundërpërgjigje ndaj shpalljes së pavarësisë. Edhe Qeveria e Republikës së Kosovës përmes zëvendëskryeministrit Ramë Manaj, ka deklaruar se “qeveria dhe institucionet e Kosovës i kanë shpallur me kohë si përpjekje jolegale veprimet e serbëve, të cilat nuk do të prodhojnë efekte juridike. Sipas tij, veprimet e tilla nuk mund të përfshihen në sistemin e qeverisjes dhe në atë juridik e politik të vendit, në çfarëdo varianti të synuar. “Janë përpjekje virtuale për ndërtimin e një kuvendi virtual, i cili mund t’iu shërbejë atyre për synimet e veta mashtruese ndaj qytetarëve serbë. Përndryshe nuk prodhon efekte juridike në Kosovë, cilësim të cilin e kanë bërë edhe Bashkësia Ndërkombëtare qysh para 11 majit dhe se nuk ka vlerësime të tjera”, u shpreh Manaj. Ndërsa zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, tha se formimi i strukturave paralele në Mitrovicë është një akt i jashtëligjshëm. “Do të ishte më e dobishme që serbët e Kosovës të përfshihen sa më shumë në punën e institucioneve të Kosovës, në vend që të formojnë struktura të reja paralele”, u shpreh ai. Më herët, shefi i ri i UNMIK-ut deklaroi se nuk pret që formimi i kuvendit serb të ndryshojë realitetin në terren. Analistët në Prishtinë besojnë se asambleja serbe është përgjigjja e parë zyrtare ndaj ditës historike të 17 shkurtit, dhe se me këtë lëvizje liderët serbë kanë institucionalizuar kundërshtimin e tyre ndaj shtetit të pavarur të Kosovës. Analisti Ilir Dugolli u citua nga agjencia serbe e lajmeve B92, duke thënë se ky hap është njoftuar që përpara shpalljes së pavarësisë dhe do të kishte pasur më shumë efekt në atë kohë. “Kjo është një ftesë ndaj serbëve që të vazhdojnë me rezistencën e tyre ndaj institucioneve qendrore të Kosovës dhe do të vazhdojë të ushqejë një pjesë të popullsisë serbe, se interesat e tyre mund të përmbushen përmes një bojkoti”, - tha Dugolli. Ndërkohë, një prej përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç, u shpreh dje se inaugurimi i asamblesë ishte pa rëndësi. Ai tha për agjencinë e lajmeve “Beta”, se pret që qeveria e re serbe të riekzaminojë politikën e Serbisë ndaj Kosovës. “Kjo asamble do të shërbejë vetëm si pedant kërcimi për të rrezikuar qeverinë e re, ndërsa përpiqet të anëtarësohet në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, -tha ai. Sipas Ivanoviç, politika e Beogradit në Kosovë vetëm sa e huton komunitetin serb, duke e përçarë edhe më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›