Padrejtësia diku është kudo kërcënim për drejtësinë
Padrejtësia diku është kërcënim për drejtësinë kudo. Kjo është thënia të cilën njerëzit anembanë Kosovës e kanë lexuar gjatë këtyre javëve të fundit, duke shikuar posterët që janë vendosur nëpër mure, dyer e ndërtesa, postera që ua kanë kujtuar atyre se edhe tre vjet pas vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, as edhe një polic i vetëm i UNMIK-ut dhe asnjë zyrtar i tij ende nuk është vënë para drejtësisë. është pikërisht kjo pjesëmarrje aktive dhe qëllimi i UNMIK-ut për ta shuar këtë vullnet, që qëndron në thelb të demonstratës së 10 shkurtit. Një prej pamjeve më të shfaqura në TV nga demonstrata është ajo e një të riu që ngre grushtin dhe thërret “Vetëvendosje!”, para se të rrëmbehej dhe të rrihej nga karabinierët italianë. Kjo pamje ishte simbol i fuqishëm i mbytjes së lirisë së fjalës atë ditë. Por krimet e bëra nga UNMIK-u më 10 shkurt 2007 kishin qëllim më të madh se mbytjen e fjalëve. Barrikada e policisë së UNMIK-ut ishte vendosur për të dhunuar të drejtën për protestë paqësore dhe urdhri për të shtënë me plumba gome me qëllim të vrasjes dhe plagosjes së rëndë, ishte dhënë për të ndaluar njerëzit nga protestimi kundër padrejtësisë. Ky qëllim është bërë i qartë në çdo fazë të procesit ligjor që UNMIK-u ka drejtuar pas demonstratës. Ai është bërë i qartë nga arrestimi i menjëhershëm, burgimi dhe gjykimi politik i Albin Kurtit në vitin 2007. Ai ishte bërë i dukshëm në raportin e 17 prillit të prokurorit special të UNMIK-ut, Robert Dean, në të cilin ai kishte përshkruar me hollësi tmerrin e krimeve të kryera, por në të njëjtën kohë duke lënë të kuptohet se askush nuk “mund” të mbahet përgjegjës dhe as nuk do të mbahej përgjegjës. Ai kishte konstatuar në mënyrë të qartë se policia e UNMIK-ut i ka qëlluar protestuesit paqësorë në kokë dhe në gjoks me plumba gome dhe në një distancë vdekjeprurëse. Hetimi i tij konfirmoi se, pa asnjë arsye, Mon Balaj ishte qëlluar prapa kokës në një distancë të afërt, dhe se Arben Xheladini ishte qëlluar në ballë. Ai gjithashtu tha se policia kishte shkelur vetë rregullat e saj të OKB-së për përdorimin e forcës dhe tha se vrasja e Arbenit dhe Monit ka qenë “e panevojshme dhe e shmangshme”. Konkluzioni i tij ishte se përdorimi i plumbave të gomës atë ditë ka qenë i “paarsyeshëm dhe jo i duhur”. Dhe në mënyrë të qartë e identifikoi njësinë rumune të policisë së UNMIK-ut si ajo që kishte vrarë Monin dhe Arbenin, bazuar në plumbat që kishin përdorur.
Por hetimet e tij asnjëherë nuk i kanë trajtuar ata si të dyshuar, por vetëm si dëshmitarë. UNMIK-u e la njësinë rumune të largohej fshehtazi nga Kosova më 21 mars 2007, para se të bëhej e njohur publikisht fajësia e tyre. Kështu, vrasësit u identifikuan si dëshmitarë të krimit të tyre. Mungesa e Monit dhe Arbenit na kujton vazhdimisht se lufta jonë për ta vënë UNMIK-un para përgjegjësisë ka të bëjë me të drejtën tonë dhe mundësinë tonë për të vepruar për bindjet tona. Duke i ikur përgjegjësisë për krimet e tij, UNMIK-u përpiqet ta kriminalizojë protestën tonë. Të mbrojtur nga imuniteti, policët dhe zyrtarët e UNMIK-ut mbeten të paprekshëm. Mekanizmi i vetëm ligjor në dispozicion të familjeve është Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut, të cilin UNMIK-u e ka themeluar vetë. Por qëkurse Paneli e ka shpallur rastin të pranueshëm në qershor të 2008-ës, UNMIK-u ka ndërhyrë në mënyrë konsistente për ta minuar atë. Në fillim UNMIK-u deklaroi se rasti nuk është i vlefshëm sepse familjet duhet të kërkonin drejtësi në Rumani – tek shteti që i kishte dekoruar policët që vranë Monin dhe Arbenin, pas kthimit të tyre në Rumani në mars të 2007. Pastaj UNMIK-u urdhëroi anulimin e dëgjimeve publike në mars dhe qershor 2009, duke deklaruar se selia e EULEX-it nuk ishte një vend i sigurt sa duhet.
Mandej UNMIK-u u përpoq t’ua mbyllë gojën familjeve, duke u ofruar atyre kompensim, me kusht që të dorëzonin të drejtat e tyre për të mbajtur UNMIK-un ligjërisht përgjegjës. Më pas, duke mos arritur të ketë sukses me të holla, PSSP-ja shfrytëzoi pushtetin e tij ekzekutiv dhe nxori një Urdhër Administrativ që në mënyrë retroaktive e bën rastin e 10 shkurtit të pavlefshëm te Paneli. Familjet janë ende në pritje për të dëgjuar këtë javë nëse Paneli do të pranojë apo jo Urdhrin e PSSP-së.
Dhe në fund, kur duket se UNMIK-u ka arritur pothuajse ta bllokojë rastin e familjeve te Paneli, EULEX-i po rifillon gjyqin politik kundër Albin Kurtit. Në vend që të ndjekë policët e UNMIK-ut që atë ditë i kanë vrarë dhe i kanë gjymtuar protestuesit paqësorë, EULEX-i po i ndihmon UNMIK-ut dhe po e vazhdon synimin e tij për t’i penalizuar dhe për t’i izoluar ata që kanë protestuar kundër padrejtësisë.
Dëshiroj të shpreh respektin tim të thellë për guximin frymëzues dhe vendosmërinë e familjeve në luftën e tyre për drejtësi.