Spital i veçantë për të sëmurët mendorë që kryejnë krime
Të sëmurët mendorë që kanë kryer krime, do të marrin trajtim mjekësor në një spital të veçantë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, deklaroi dje se kjo kategori do të trajtohet në spital, në mënyrë që këta të sëmurë të trajtohen si të tillë dhe jo thjesht si të dënuar. Ndërsa Elvana Hana, drejtoreshë e Institutit të Sigurimeve dhe të Kujdesit Shëndetësor, bëri të ditur rritjen e rasteve të të sëmurëve mendorë në vend dhe kryesisht të 3 diagnozave: psikoza skizofrenike, gjendja depresive, psikoza aktive.
Sëmundja
Deklaratat e kreut të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ISKSH-së u bënë dje gjatë konferencës kombëtare të shëndetit mendor. Ministri i Shëndetësisë, Vasili, pasqyroi përpjekjet e vazhdueshme të dikasterit që drejton për funksionimin e një sistemi gjithëpërfshirës në shëndetin mendor. Në mënyrë të veçantë ministri u ndal tek trajtimi i personave që kanë kryer krime dhe që deklarohen të tillë nga strukturat e shëndetësisë si të sëmurë mendorë, në mënyrë që të marrin trajtim adekuat.
Vasili tha: “Jemi në rrugën e duhur që ndërmjet edhe ndërhyrjeve buxhetore, por duke u kombinuar edhe me mbështetjen e huaj, e cila nuk ka munguar t’i japë një hov të ri kësaj problematike, të gjithë ata të sëmurë mendorë që janë përcaktuar si të tillë dhe duhen trajtuar si të tillë dhe ne do të procedojmë më tutje edhe me strukturat përkatëse. Është një spital i cili është në proces të rikonstruktimit të tij, ku këta të sëmurë do të trajtohen si të tillë dhe jo thjesht si të dënuar”.
Trajtimi
Më tej, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, bëri të ditur se ka një rritje të ndjeshme të rasteve të të sëmurëve mendorë dhe kryesisht të 3 diagnozave: psikoza skizofrenike, gjendja depresive, psikoza aktive. Për trajtimin e këtyre të sëmurëve ISKSH po shton medikamentet në listën e rimbursimit, por njëherësh edhe përmes lehtësimit të marrjes së mjekimeve nga ana e këtyre të sëmurëve, duke futur në listë formëdoza të përshtatshme. “Është punuar për trajtimin e këtyre sëmundjeve si nga ne edhe nga politikëbërësit, gjë që e ka gjetur shprehjen në një numër më të madh barnash për trajtimin e këtyre diagnozave në listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2009, gjithsej 68 barna të rimbursueshme me një peshë specifike në listën e rimbursimit 12.2% ndaj totalit të shpenzimeve të rimbursimit. Vetëm në vitin 2009 janë shtuar 10 barna të reja apo 3 principe aktive të reja në listën e rimbursimit për sëmundjet mendore”, - tha Hana.
Ndërkohë, pritet nga profesionistët e shëndetit mendor edhe përgatitja e udhëzuesve klinikë dhe e protokolleve të mjekimit, për një diagnostikim dhe mjekim sa më racional, si edhe me kosto-efektivitet të pacientit. Duke pasur parasysh numrin në rritje të personave që vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor, duhet menduar edhe për politika të tjera edhe në nivelet e tjera të sistemit shëndetësor, përpos atij parësor.