E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet në rrethe të pashfrytëzuara

16/04/2010 Spitalet rajonale në vendin tonë nuk punojnë aq sa duhet, krahasuar me fondet që kanë

Skema e re: ndarje e kategorizuar fondesh, sipas punës që do të realizojë secili institucion

Pjesa dërrmuese e spitaleve publike në vendin tonë nuk ofrojnë shërbimet e duhura shëndetësore për pacientët. Për shumë prej tyre, ndonëse janë shtuar fondet mbi përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, çka reflektohet jo vetëm me shfrytëzimin e ulët të kapaciteteve në këto spitale, por edhe me dyndjen e popullatës drejt institucioneve shëndetësore të kryeqytetit. Kështu, kjo shpërndarje e padrejtë e fondeve ka rënduar në një pjesë të spitaleve, të cilat kanë frekuentim masiv, përkundrejt shumë të tjerave që funksionojnë në rrethe, por që nuk shfrytëzohen.

Ky shqetësim është konstatuar edhe nga hulumtimi i bërë prej përfaqësuesve të Bankës Botërore, të cilët kanë treguar se spitalet rajonale nuk punojnë në kapacitetet e tyre të plota. Përfaqësuesi i BB-së, Patrik McNelly, ka pohuar dje se spitalet rajonale në vendin tonë nuk punojnë aq sa duhet, krahasuar me fondet që kanë. Për këtë është menduar që sipas një plani të ri, ndarja e fondeve për spitalet të bëhet sipas punës së kryer, çka do të thotë se spitalet që kanë bërë më shumë punë, do të marrin edhe më shumë fonde. Sipas të dhënave të publikuara, rezulton se në vendin tonë funksionojnë rreth 50 spitale, 600 qendra shëndetësore, duke përfshirë dhe zonat rurale, si dhe 1500 ambulanca që ofrojnë shërbime mjekësore.

Situata

Përkundrejt kësaj situate, kreu ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë, Sajmir Kadiu, ka pohuar se nga studimi i ekspertëve rezulton që 30 spitalet rajonale të vendit shfrytëzojnë një pjesë shumë të vogël të shtretërve të tyre, megjithëse në vite është investuar për plotësimin e kapaciteteve në pajisje mjekësore. “Rreth 30 spitale në Shqipëri kanë më pak se 200 shtretër spitalorë dhe shfrytëzimi i tyre, për arsye dhe të lëvizjes së popullatës, për arsye dhe të nivelit të dhënies së shërbimit shëndetësor, është rreth 20-25 për qind. Pra, është shumë i ulët. Në aspektin ekonomik do të kemi vështirësi, nëse këto spitale do të vazhdojnë me këtë lloj ritmi të përdorimit të faciliteteve të tyre”, ka pohuar Kadiu. Ndërkohë që ekspertët e huaj kanë këshilluar që lidhja e kontratave ndërmjet spitaleve dhe Institutit të Sigurimeve Shëndetësore të jetë e racionalizuar. Kjo që të anashkalohen spitalet që nuk funksionojnë dhe të forcohen shërbimet shëndetësore në ato spitale që përmbushin standardet.

Ndryshimi

Hartimi i planit të ri nga ekspertët e huaj do t’u vijë në ndihmë zyrtarëve tanë të shëndetësisë, për të kuptuar drejt se si duhet të shpërndajnë fondet dhe ku duhet të investojnë më shumë. Në bazë të të dhënave të nxjerra nga vëzhgimi, pohohet se duke krahasuar fondet që jepen për këto spitale rajonale, për shembull me punën që bëhet në Qendrën Universitare “Nënë Tereza”, vihen re mangësi të shumta. Ndaj qëllimi i planit të ri të shpërndarjes së fondeve është që të përmirësojë cilësinë dhe të shfrytëzojë kapacitetet në maksimum. Ndërkohë që është planifikuar se implementimi i tij do të fillojë pas dy muajsh. “Shqipëria harxhon çdo vit 6 për qind të GDP-së për shërbimin shëndetësor dhe ne duhet të mendohemi mirë për paratë që hedhim, me qëllim që të rrisim cilësinë e shërbimit dhe plotësimin e nevojave për ato spitale që u mungojnë”, ka shtuar Kadiu. Ekspertët e huaj kanë përfunduar punën për masterplanin, i cili u shpjegon zyrtarëve të shëndetësisë se si duhet të shpërndajnë fondet dhe ku duhet të investojnë më shumë. Ky dokument u është shpërndarë drejtuesve të spitaleve dhe brenda dy muajve do të vihet në zbatim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›