E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti Vlorë Halili sherr me kryebashkiakun

16/04/2010 Nuk njihen vendimet e këshillit, gati ankimi në Gjykatën e lartë

Konflikti mes prefektit të Vlorës dhe Këshillit Bashkiak do të vijojë edhe më tej pavarësisht vendimit të Gjykatës së Apelit. Ndërsa Hasan Halili ka kërkuar nga bashkiakët marrjen e masave për zbatimin e rregullores së funksionimit të pushtetit vendor, ose ai do të vijojë mosnjohjen e vendimeve si dhe do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për të apeluar vendimin. Në një shkresë drejtuar kryetarëve të grupeve të këshilltarëve, prefekti Halili u ka bërë me dije se “nga data 24 shtator në Këshillin e Bashkisë është krijuar një ngërç, për mosrespektim të rregullores së hartuar nga këshilltarët në vitin 2007, rregullore e cila është depozituar pranë institucionit të prefekti. Rregullorja e hartuar është në përputhje me ligjin e qeverisjes vendore. Veprimet e bëra në datën 24 shtator janë refuzuar nga prefekti i qarkut për arsye se nuk janë në përputhje me rregulloren dhe ligjin e qeverisjes vendore. Ne kemi dhënë disa herë rekomandime verbale për mënyrën e zgjidhjes, duke respektuar rregulloren e miratuar nga Këshilli i Bashkisë Vlorë. Por për fat të keq kjo kërkesë konstruktive e bërë nga ne, nuk u mor parasysh. Duke respektuar vendimet e gjyqësorit, ne konsiderojmë moralisht të nevojshme t’u drejtohemi ju që të jepni zgjidhje sipas rregullores suaj, e cila do të jetë e shpejtë, demokratike dhe në shërbim të qytetarëve. Ky veprim do të ndërpriste të drejtën tonë për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj veprimit të Gjykatës së Apelit, proces i cili do të marrë kohë dhe tensionet brenda jush do të vijonin”.

Deklarata

Ndërkohë në konferencën e dhënë dje për mediat ai thekson se nuk do të njohë vendimet e firmosura nga Sulçe, pasi zgjedhja e tij ishte ilegjitime. Ndërsa duke kundërshtuar këtë qëndrim kryebashkiaku Shpëtim Gjika, ka theksuar se Halili po ndërmerr vetëm hapa politik në dëm të qytetarëve të Vlorës. Ai ka ftuar prefektin të heshtë, në një kohë kur ka folur gjyqësori, ndërsa ka bërë me dije projektet publike që po zbatohen në Vlorë nga ana e bashkisë, por që po hasin pengesa të krijuara artificialisht, nga segmente të tjera politike. Është institucioni i prefektit të qarkut Vlorë, i cili qysh prej muajit tetor 2009, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka bllokuar qëllimisht dhe me tendenca të pastra politike funksionimin e Këshillit Bashkiak, duke u bërë pengesë artificiale për administratën e Bashkisë, dhe ajo çka është më e rëndësishmja, për zbatimin e projekteve të përmirësimit të infrastrukturës, aq të domosdoshme për qytetin tonë”, tha Gjika.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›