E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitalet në skemë, ja shërbimet që ISKSH do japë falas

Nga Esmeralda Keta
Për herë të parë spitaleve do u shpërndahet një buxhet, të cilin ata do ta administrojnë vetë për blerjen e medikamenteve. Spitalet do të administrojnë edhe të ardhurat dytësore. 

Në fund të muajit mars të gjitha spitalet e vendit do të kenë lidhur kontrata me Institutin e Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor (ISKSH). Futja e tyre në skemën e sigurimeve shëndetësore ka nisur që më 1 janar dhe synon jo vetëm një shërbim më të mirë ndaj pacientëve, por edhe të mos ketë më mungesa në medikamente, pasi blerjet do të bëhen nga vetë spitalet. Kjo reformë që do të përfshijë të gjitha spitalet e vendit synon që të gjithë pacientët e siguruar të marrin falas çdo shërbim, ndërsa të pasiguruarit do të paguajnë për gjithçka, përveç urgjencës.
Reforma
Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, gjatë një konference për shtyp ka sqaruar se Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të lidhë kontratë me çdo spital brenda marsit 2009 dhe brenda së njëjtës periudhë drejtori i spitalit do të lidhë kontrata me të gjithë punonjësit. "Kontratat do të bazohen në shërbimet që realisht ofrohen në spitale në momentin e lidhjes së kontratës", - ka sqaruar më tej drejtoresha Hana, e cila ka shtuar se në kontratën dypalëshe ndër të tjera do përcaktohen shërbimet e parashikuara për çdo spital, mënyrat e mbajtjes së e dhënave dhe të raportimit, modalitetet e pagesës së spitalit, metodologjia e llogaritjes së shpenzimeve, treguesit e cilësisë dhe performancës, mënyrat e ushtrimit të kontrollit nga ana e ISKSH, sistemi i referimit dhe mënyrën e identifikimit të të siguruarve si dhe mënyrat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. gjithashtu ISKSH ka bërë publike edhe shërbimet që do të ofrohen në fazën e parë të kësaj reforme dhe ka shpjeguar se si do të funksionojë kjo skemë. "Në këtë listë janë të gjithë shërbimet që jepen në sot në Republikën e Shqipërisë, por nuk është e thënë që të gjithë këto shërbime të jepen në një spital të caktuar, - ka shpjeguar drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. - Për këtë arsye detajimi do të vazhdojë më tej me kontratat që do të lidhim ne me spitalet. Kontrata do të ketë të përcaktuar vetëm atë shërbim që jep spitali dhe për atë do ta paguajmë ne, në momentin e kontraktimit dhe më tutje. Nëse do të ketë nevojë për t'u shtuar shërbime të tjera, do të negociohet midis nesh dhe Ministrisë së Financave për buxhet shtesë nëse do të duhet që kjo paketë e shërbimeve fillestare, të jetë më e zgjeruar", - ka përfunduar Hana. Për sa u përket borxheve që kanë spitalet, Hana ka sqaruar se ende nuk është gjetur një zgjidhje, kjo edhe për faktin se nuk dihet shifra e saktë e tyre. "Ka 18 vjet që spitalet vazhdojnë të punojnë me borxhe dhe për këtë arsye në fazën e parë që është faza përgatitore ne do të identifikojmë këto nëpërmjet kontratës dhe do të kërkojmë adresimin e këtyre borxheve nga qeveria që natyrisht në bisedat paraprake që janë bërë nuk do ti ngelen as spitaleve as ISKSH. Pra ky buxhet që ju jepet spitaleve do të përdorohet vetëm për nevojat e tyre, jo për borxhet", - ka sqaruar Hana.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›