Tirana, ditën e sotme disa orë pa drita për transformatorin e ri
TIRANE- Disa zona në Selitë, ditën e sotme do të jenë pa energji elektrike për një kohë të gjatë. Shkak për këtë, është puna që do të kryejë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në nënstacionin e Selitës në Tiranë, për vendosjen e një transformatori të ri 10 kv, i nevojshëm për fuqizimin e rrjetit të energjisë elektrike në zonë. Si pasojë e punimeve, gjatë ditës së sotme do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike nga ora 9.00 e paradites, deri në orën 12.00 në mesditë. Punimet do të shkaktojnë ndërprerje të energjisë në Yzberisht, Selitë, rrugët "Misto Mame", "Babë Rexha", ish NPV, zona e ish Parkut si dhe Sauku. I gjithë investimi po kryhet me paratë e OSSH dhe kapin vlerën e 12 milionë lekëve të reja. Përmes këtij investimi rritet kapaciteti i nënstacionit të Selitës, pasi do të ketë 4 transformatorë me një fuqi totale instaluese prej 120 Megavat, ç'ka do të përmirësojë furnizimin me energji elektrike në pjesën jugore të kryeqytetit si në zonën e Selitës, rrugën e "Elbasanit", rrugën "1 Maji", Sauk, etj. Punimet për rikonstruksionin e nënstacionit elektrik të Selitës nisën në fillim të muajit nëntor 2008, ndërkohë që vazhdojnë edhe gjatë këtij viti. Ndërprerjet e energjisë elektrike paraditen e sotme, gjithsesi do të normalizohen gjatë pasdites. Tirana nuk duket se e ka ndjerë krizën e dritave këtë vit, si pasojë edhe e masave të marra për blerjen në kohë të energjisë elektrike. Por situata nuk paraqitet e njëjtë nëpër rrethe, ku nuk kanë munguar ndërprerjet e shpeshta të energjisë, edhe si pasojë e motit të keq të këtyre ditëve dhe dëmtimit të shtyllave të tensionit të lartë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)