Djegia e makinës së Bazes, hetohet zjarri i qëllimshëm
TIRANE- Prokuroria e Tiranës po heton në disa pista për të hedhur dritë mbi ngjarjen e ndodhur në orët e para të 1 janarit të këtij viti, kur makina luksoze e botuesit të gazetës "Tema", Mezo Baze, u shkrumbua nga flakët e zjarrit. Dosja e mbërritur nga policia në organin e akuzës ka shkuar tashmë në duart e prokurorit Erjon Pano, i cili do të hetojë për ngjarjen, që gazetari Baze e ka cilësuar si të qëllimshme për shkak të shkrimeve kritike të botuara në adresë të Kryeministrit Sali Berisha. "Nuk mund të themi detaje, por po hetojmë në disa pista. Nuk kemi përjashtuar as pistën e një zjarrvënieje të qëllimshme", - tha një burim zyrtar nga Prokuroria. Një ditë pas ngjarjes, policia deklaroi se zjarri në makinën e botuesit të "Tema" ishte shkaktuar nga një fals kontakt në sistemin elektrik, por Prokuroria nuk shpejtohet ta thotë një gjë të tillë. "Hetimet do të përcaktojnë shkakun e vërtetë të ndezjes së shkëndijës elektrike në makinë", - saktësoi më tej i njëjti burim. E vetmja pistë e përjashtuar është ajo e ndezjes së shkëndijës elektrike si pasojë e kushteve atmosferike, konkretisht rënies së ndonjë rrufeje. Shkrumbimi total i makinës, që u kthye në një grumbull hekurishtesh, duket se e vë mjaft në vështirësi grupin e hetimit. Kjo, për shkak se provat asgjësohen dhe mundësia për të zbuluar shkaqet e vërteta, e më pas për të mbërritur tek ndonjë autor i mundshëm i ngjarjes, është mjaft e vogël. Gjithsesi, mbi bazën e deklarimeve të vetë gazetarit Baze, që e cilëson djegien e makinës si një akt të dhunshëm ndaj fjalës së lirë, Prokuroria ka ngritur të gjitha pistat e mundshme dhe pritet të dalë në një konkluzion. Makina tip "BMË" e botuesit të "Tema" u shkrumbua në orët e para të 1 janarit 2009. Gazetari Baze deklaroi në polici se nga dritarja e pallatit ka mundur të shquajë flakët e zjarrit në anën e pasme të makinës, gjë që sipas tij vërteton faktin se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Por, pavarësisht pretendimeve të Bazes apo deklarimeve të policisë, që natyrisht janë të kundërta me njëra-tjetrën, fjalën e fundit do ta thotë Prokuroria.
(s.g/GSH/BalkanWeb)