Spitali “Memorial” në Fier, në nëntë muaj mbi 36 mijë shërbime

Mbi 36 mijë shërbime, janë ofruar në 9 muaj në spitalin “Memorial” të Fierit. Por tej shifrës ata që besuan që në hapjen e këtij spitali vlerësojnë qasjen e re.
Pacientët janë kryesisht nga qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, e vijnë në këtë spital përmes sistemit të referimit. Stafi shqiptaro-turk, afro 400 vetë, ndajnë bashkë çdo gjë.
“Kam 6 muaj që punoj në spitalin “Memorial”. Të dy popujt tanë kanë kulturë të përbashkët, vetëm gjuha i dallon, prandaj nuk ka qenë e vështirë për mua që të përshtatem këtu, në Shqipëri. Për këtë periudhë kam bërë 100 operacione dhe 1 mijë konsulta. Kam bërë disa ndërhyrje të vështira. Nga pacientët kemi marrë vlerësime shumë të mira. Për ne është i rëndësishëm shëndeti i tyre. Kam parë shumë pacientë me gur në veshka, ndaj këshilla ime e parë është që të pakësojnë sasinë e kripës që përdorin dhe të konsumojnë sa më shumë ujë.”, -shprehet Ahmet Teoman, Mjek kirurg-urolog.
Spitali, i cili hapi dyert me 21 prill të vitit të shkuar ka 150 shtretër, 6 shërbime poliklinike, 6 salla operacioni.
/rtsh/