Spitali i Durrësit, 701 punonjës përfitojnë rritje page
DURRËS – Rritje page për 701 punonjësit e spitalit të Durrësit, duke përfshirë mjekët, infermierët dhe stafin mbështetës të tij. Vendimi u mor bazuar në faktin se ky spital është i vetmi i përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Propozimi për rritjen e rrogave u bë nga bordi drejtues i këtij institucioni, ndërsa vendimi u dha nga ISKSH-ja. Rritja e pagave do të jetë mesatarisht në masën 15,7%. Lidhur me këtë vendim, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, tha se priste që kjo shtesë page të motivonte më tepër stafin e këtij spitali dhe të nxiste spitalet e tjera. “Pagat për mjekët do të jenë në rritje të vazhdueshme, por do të monitorojmë punën dhe cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve”, u shpreh Hana. Vendimi u mbështet edhe nga ministrja Godo. Në vazhdën e këtyre ndryshimeve është parashikuar pagesa e studimeve të thelluara pasuniversitare dhe për 23 punonjës të këtij spitali. Rritja e pagave për punonjësit mësohet se do të përballohet nga buxheti i dhënë për spitalin e Durrësit për vitin 2008, në një kohë që efektet financiare do të nisin nga 1 korriku i këtij viti. Pritet që duke filluar nga 1 janari, edhe spitalet e tjera të vendit të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore.