E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgu i Shënkollit, tentohet të futen fishekë

TENTATIVA/ Babait të një të dënuari me burgim të përjetshëm i janë gjetur fishekë të fshehur në rrobat për të birin

Nga ana e punonjësve të burgut ende nuk është zbuluar për çfarë do të shërbenin plumbat që do të futeshin në qeli

SHËNKOLL - Jo vetëm drogë, por tentohet të futen dhe fishekë në burgun e Shënkollit. Kjo ka ndodhur dje, kur një familjar ka mbështjellë në rroba katër fishekë për t’ia dërguar djalit në qelinë e këtij burgu, por është pikasur nga kontrollorët e burgut, të cilët kanë njoftuar menjëherë drejtuesit dhe policinë e burgut, duke ndërprerë kësisoj tentativën e futjes së tyre në qelitë e burgut.

Ngjarja

Sipas burimeve të sigurta, nga burgu i Shënkollit, ka qenë ora 12:30 e ditës së djeshme kur shtetasi K.Ndoj, babai i një të burgosuri nga një fshat i Lezhës, në mes ushqimeve dhe rrobave që po i dërgonte të birit, kishte futur dhe katër fishekë pistolete. Por kontrollorët e burgut kanë qenë të kujdesshëm duke kontrolluar në detaje çdo mall, rrobë apo ushqim që do t’iu kalonte të burgosurve nga prindërit apo të afërmit e tyre. Sapo ata kanë hapur çantat me ushqime dhe plaçka, kanë vënë re të mbështjellë fishekët, ndaj menjëherë kanë njoftuar policinë e cila ka bërë shoqërimin e personit që i kishte sjellë ato.

Destinacioni

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, personit që i adresoheshin fishekët nga i ati, figuron i dënuar për veprën penale të vrasjes me burgim të përjetshëm, ndërsa në burgun e Shënkollit ishte si “bujtës”, pasi ai e vuante dënimin në burgun e Peqinit. Sipas këtyre burimeve, fishekët mund të ishin drejtuar pikërisht për në atë burg, ku sipas informacioneve, i dënuari në fjalë bashkëvuante me persona të dënuar shumë të njohur në botën e krimit,dhe që vuajnë po dënimin me burg të përjetshëm.

Hetimi

Policia po heton me kujdes për të mësuar të vërtetën e adresimit të këtyre fishekëve, ndërsa pasi është njoftuar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë ushtruar kontrolle të imta në çdo qeli të burgut dhe kryesisht në qelinë ku gjendej personi të cilit i ishin adresuar fishekët. Kontrollet janë bërë për të parë nëse mund të ishin futur armë, por nuk është gjetur asgjë, gjë që sipas këtyre burimeve lë të kuptosh se fishekët mund të jenë futur për t’u dërguar në burgun e Peqinit, kjo ka bërë që kontrolle të imtësishme të bëhen dhe atje, ndërsa po merret në pyetje personi që ka tentuar futjen e fishekëve në burgun e Shënkollit si dhe gjithë pistat e mundshme se përse do të përdoreshin ato. Drejtuesit e burgut mohojnë ngjarjen

I kontaktuar me telefon mbrëmjen e së mërkurës, nëndrejtori i burgut të Shënkollit e ka mohuar ngjarjen në fjalë. “Një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë”,- u shpreh ai për gazetën “Shekulli”. Nga ana tjetër, ngjarja e ndodhur konfirmohet nga shumë burime të besueshme, ndërsa bëhet e ditur se ky rast po tentohet të kalohet në heshtje nga ana e përgjegjësve të këtij institucioni. A.Gjypi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›