E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzohet për vrasje, dënohet me 2 vjet e 8 muaj burg

VENDIMI/ Gjykata e Shkodrës është shprehur se Taulant Çefa nuk ishte përfshirë në vrasjen e Florian Ndojës

SHKODËR – Vetëm 2 vjet e 8 muaj burg do të vuajë 33-vjeçari Taulant Çefa i cili ishte akuzuar për vrasjen e Florian Ndojës, ngjarje kjo e ndodhur në Angli më 25 tetor 2000 në një lagje të Londrës. 15 vjet ishte kërkesa e prokurorit, por nga ana e togave të zeza janë rrëzuar provat e organit të akuzës, duke marrë parasysh deklarimet e vetë të pandehurit se nuk kishte “dorë” në vrasjen e Ndojës. Gjykata e Shkodrës vendosi ndryshimin e akuzës për Çefën, nga “vrasje” në “fshehje të kufomës” çka çoi në uljen e viteve të dënimit që ai duhet të vuante. Ngjarja e rëndë për të cilën u dënua Taulant Çefa është e njohur në qytetin e Shkodrës dhe ka ndodhur më 25 tetor 2000 në një lagje të Londrës. Në këtë ditë u vra me thikë me shumë goditje shtetasi Florjan Ndoja, po nga Shkodra. Trupi i tij u gjet i masakruar në banesën ku jetonte tri javë më vonë, më 18 nëntor, ndërsa dy vëllezërit Pjerin e Taulant Çefa, shokë të afërt të viktimës si në Shkodër, ashtu dhe në Angli, u akuzuan nga policia angleze si autorë të krimit. Por pas ngjarjes ata u kthyen në Shqipëri. Pas ndalimit të bërë nga policia, Pjerin Çefa mori përsipër autorësinë e vrasjes, por çështja ndaj tij u pezullua pasi ai u cilësua i papërgjegjshëm në momentin e kryerjes së krimit dhe u dërgua në spitalin psikiatrik. Pas tij u arrestua edhe i vëllai, Taulanti. Por ky i fundit mohoi bashkëpunimin, duke u shprehur se e vetmja gjë që kishte bërë ishte ndihma ndaj të vëllait për fshehjen e kufomës. Dëshmia e tij është pranuar nga trupi gjykues, i cili e ka ndryshuar akuzën e ngritur nga prokuroria, duke mos e quajtur fajtor për bashkëpunimin me të vëllanë në vrasje. Si rrjedhojë, Taulanti do të vuajë vetëm 2 vjet e 8 muaj burg për fshehje të kufomës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›