E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, vetëvritet duke u hedhur nga ballkoni 25-vjeçarja

HETIMI/ Nga ana e policisë nuk është bërë ende i mundur identifikimi i vajzës së re, ndërsa asnjë i njohur nuk është paraqitur

TIRANË - Një vajzë e re i ka dhënë fund jetës së saj duke u hedhur nga kati i pestë i një pallati në mes të ditës në qendër të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur dje në rrugën “Abdyl Frashëri” në zonën e ish-bllokut në kryeqytet, kur një vajzë ende e paidentifikuar është hedhur nga sheshpushimi i katit të pestë të një pallati. Dëshmitarët u përpoqën t’i jepnin ndihmën e parë, ndërsa e transportuan me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Por, me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, ajo ka ndërruar jetë rreth katër orë më pas. Të njoftuar nga dëshmitarët forcat e policisë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes. Burime nga blutë thanë se u morën në pyetje banorët e pallatit prej nga ku u hodh e reja, por asnjëri prej tyre nuk e njihte, madje as banorët e zonës përreth nuk kishin dijeni për identitetin e saj. Të njëjtat burime shtuan se viktima nuk ishte banore e pallatit nga ku u hodh, vend të cilin ndoshta e kishte zgjedhur rastësisht. Nga kontrolli fizik që iu nënshtrua të resë, policia nuk gjeti asnjë dokument identifikimi për të bërë të mundur dhe zbulimin e identitetit të viktimës. Nga policia mësohet se në çantën e saj është gjetur një gazetë e cila përmban oferta punësimi disa prej të cilave ishin të qarkuara prej vajzës. Ende nuk dihet nëse ajo po kërkonte punë dhe gjendja e keqe ekonomike mund ta ketë detyruar t’i japë fund jetës, megjithatë burimet policore bënë të ditur se pa u zbuluar identiteti i viktimës, është e vështirë zbardhja e motiveve të vetëflijimit. Për të gjetur gjeneralitetet e vajzës, policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve duke bërë publike edhe të dhënat e saj. Sipas policisë, vajza është e gjatë rreth 160 cm, ka flokë të zeza, e të gjata deri tek supet, kishte veshur një palë xhinse blu, atlete të zeza, triko të zezë, një shall jeshil, xhup të zi dhe çantë të zezë. Mosha e saj mendohet të jetë rreth 25 vjeç. Paraprakisht dyshohet se e reja mund të jetë nga rrethet, gjë e cila pritet të verifikohet me identifikimin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›