E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, dhjetëra familje rrezikojnë humbjen e banesave

RRËSHQITJET/ Banorët i kanë ndërtuar shtëpitë e tyre brenda parkut arkeologjik të qytetit, pa asnjë studim

LEZHË - Dhjetëra familje në lagjen “Demokracia” të qytetit të Lezhës rrezikohen nga rrëshqitjet e dheut, pasi i kanë ndërtuar banesat e tyre në një zonë të pastudiuar, e cila ndodhet njëkohësisht edhe brenda parkut arkeologjik të këtij qyteti. Ndërtimet kanë filluar në këtë zonë pas viteve ‘90 dhe që prej asaj kohe aty kanë “lulëzuar” me dhjetëra shtëpi, të cilat nuk janë penguar nga asnjë institucion. Aktualisht situata është mjaft e vështirë, pasi rrëshqitjet e dheut kanë krijuar një panik te këto familje. Shumë prej këtyre shtëpive të ngritura edhe ngjitur me kalanë e Lezhës,nuk kanë asnjë siguri për jetëgjatësinë e ndërtimit, pasi dheu ka filluar të rrëshqasë në mënyrë tepër të dukshme. Struktura e tokës ku është ngritur kalaja e qytetit të Lezhës dhe më pas janë ndërtuar shumë godina banimi, është e paqëndrueshme kjo edhe për faktin se e gjithë zona është e shpyllëzuar. Relievi i thyer i ka dhënë një tjetër madhësi rrëshqitjes së tokës, e cila rrezikon shtëpitë e ndërtuara dhe vetë parkun arkeologjik që gjendet pranë saj. Një tjetër problem, i cili ka krijuar këtë dukuri në lagjen “Demokracia” është gërryerja e tokës që kanë bërë vetë këta ndërtues. Në shumë raste nxjerrja e gurëve të mureve rrethues të kalasë, për t’i vënë në themelet e këtyre ndërtimeve është pasuar me zhvendosje të shumta dheu, të cilat më pas kanë provokuar rrëshqitjet e tij. Ky fakt është i njohur si për banorët, ashtu edhe për institucionet përkatëse, ndërsa situata mbetet e njëjtë. Banorët pranojnë faktin se në pjesën e siperme të lagjes, ose thënë më mirë, poshtë kalasë, rrëshqitjet e dheut janë të shumta, me tendencë lëvizjen drejt qendrës së qytetit. Sipas banorëve, ka edhe shtëpi të cilat janë prekur tashmë nga rrëshqitjet e dheut, dhe rreziku është më se i dukshëm. Që prej viteve ‘90 e deri më sot ndërtimet në këtë zonë të pasigurt dhe pronë e historisë kanë vazhduar rregullisht. Kërkesat e shumta të bëra nga institucionet e kulturës nuk janë marrë në konsideratë nga inspektorati ndërtimor, pasi, sipas tyre, me prishjen e ndërtimeve krijohet një problem social, çka ka bërë që të heshtet për rrezikun real të banorëve. Në të njëjtën kohë, të ndërtuara vetëm 100 metra larg kalasë, këto shtëpi të ngritura pa asnjë studim, janë një rrezik për zhdukjen e shumë vlerave historike të Lissusit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›