Gjirokastër, qeveria jep gjysmë dëmshpërblim për banorët
GJIROKASTËR- Miratohet dëmshpërblimi për banorët e pallatit që u shemb në Gjirokastër, por shuma është kundërshtuar menjëherë prej tyre duke qenë se paratë që janë planifikuar t’iu jepen, nuk arrijnë të kompensojnë dëmin që u është shkaktuar nga prishja e shtëpive të tyre. Ndërkohë, në ditëne tretë të grevës së urisë, gjendja e banorëve ka filluar të përkeqësohet. Ata kërcënuan se, përveç kryefamiljarëve, në grevë do të përfshiheshin edhe gratë dhe fëmijët derisa të marrin dëmshpërblim të plotë për shembjen e pallatit të tyre ku humbën gjithçka, duke mbetur vetëm me rrobat e trupit dhe ku u “varrosën” tre prej të afërmve të tyre.
Dëmshpërblimi
Rreth mesditës banorët-grevistë janë njoftuar se qeveria kishte miratuar fondin e dëmshpërblimit, i cili mbetet e vetmja kërkesë që banorët e pallatit të shembur kanë. Përfaqësuesi i Këshillit të Qarkut, Bexhet Çobani, i njohu me shumën që qeveria miratoi për ta. Sipas këtij vendimi, banorët përfitojnë në total një shumë prej 46 milionë lekësh të rinj. Kështu, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, familjet që kishin apartamente 2+1 do të do të përfitojnë rreth 2,9 milionë lekë, shumë në të cilën përfshihen edhe orenditë, ndërsa familjet me apartamente 3+1 do të marrin një shumë prej 3,6 milionë lekësh. Në skemë janë përfshirë edhe 4 familjet që qëndronin në pallatin e shembur në apartamente me qira dhe për ta është akorduar fondi prej 400 mijë lekësh.
Reagimet
Por banorët janë shprehur të pakënaqur, madje edhe të zhgënjyer nga shumat e akorduara, pasi, sipas tyre, fondi i dëmshpërblimit nuk është i mjaftueshëm. Ata kanë refuzuar ta ndërpresin grevën e urisë. “Shuma e miratuar është qesharake. Me aq lekë mund të blejmë vetëm një apartament 1+1, të pamobiluar. Na është dhënë vetëm gjysma e asaj që na është premtuar”,- u shpreh Axhem Mene, njëri prej banorëve. Dosja e përgatitur nga ekspertët disa ditë pas ngjarjes përllogariste një dëm prej 87 milionë lekësh të rinj.
Gjendja shëndetësore
Ndërsa greva e urisë hyri në ditën e katërt tashmë, gjendja shëndetësore e banorëve është rënduar. Pesë prej tyre u dërguan me urgjencë në spitalin rajonal “Omer Nishani”, për shkak të shqetësimeve serioze në zemër dhe pas marrjes së mjekimit janë rikthyer sërish në grevën e urisë. Ndërkaq, familjarët e të ngujuarve në grevë urie kërcënojnë me pjesëmarrje të përgjithshme në të. “Do të hyjmë të gjithë në grevë, së bashku me fëmijët jo më në garazh, por në rrënojat e pallatit”,- shprehen ata. Pas infarktit të pësuar në zemër, Ibrahim Braho është shtruar me urgjencë në spital, ndërsa një tjetër grevist, Bibil Tena, për të dytën herë brenda 24 orëve ka marrë mjekim dhe është rikthyer në grevë.