E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Durrësit, arrin standardet më të mira gjatë 2008-ës

Autori i Lajmit: red.
Financimi i spitalit të Durrësit nga skema e sigurimeve shëndetësore, gjatë vitit të kaluar, tregoi efektivitetin e zbatimit të këtij projekti. "Në vitin 2008, financimi nga ISKSH rezulton 2.7 herë më i madh se viti 2001, ndërsa të ardhurat dytësore në këtë spital janë rritur 3 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë, të cilat përdoren 100% nga spitali për investime në pajisje, blerje mallrash dhe shpërblime punonjësish (deri në dy paga mujore në vit)", thanë dje burime nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Sipas të dhënave, në spitalin e Durrësit janë vendosur kritere shkencore në rekrutimin e personelit mjekësor, si dhe kritere akademike në vendosjen e shefave të shërbimit. ISKSH e cilëson si një arritje punësimin e 23 mjekëve me studime pasunversitare, 6 mjekëve me gradën e doktoraturës, infermierëve me arsim të lartë, duke siguruar trajtim të lartë profesional të pacientëve. Krahasuar me vitin 2001, është trefishuar numri i infermierëve me arsim të lartë. Bazuar në të dhënat nga ISKSH, pagat e personelit në spitalin e Durrësit janë 15 deri në 20 % më të larta se në spitalet e tjera të vendit. Rritja e shfrytëzimit të shtratit nga 52 % në 75 % është nga më të mirat në Shqipëri, ndërsa ka ulje të mesatares së ditëqëndrimit në spital, nga 7.4 në 4.9 ditë, si rezultat i trajtimit mjekësor me nivel të lartë dhe përdorimit të barnave cilësore. Aktualisht, në këtë spital ofrohet shërbim mjekësor i një standardi të lartë për të gjitha llojet e trajtimeve mjekësore, ndërsa shërbimi i kirurgjisë ka marrë statusin e Qendrës Kombëtare. Stafi realizon ndërhyrje kirurgjikale të shkallës së vështirësisë së lartë, përdoren metodat bashkëkohore në shërbimin e maternitetit etj. Gjithashtu, shërbimi i urgjencës konsiderohet i nivelit të parë, duke përballuar gjatë verës problemet në një fluks pushuesish deri në 1 milion persona. Ndërkohë, instalimi nga ISKSH i softit informatik ka bërë të mundur që spitali i Durrësit të jetë i vetmi spital në vend që nxjerr në mënyrë të kompjuterizuar koston sipas sistemit (DRG) për çdo diagnozë, për grup diagnozash, etj.

Ky lajm është publikuar: 14/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›