E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika dhe biznesi në shërbim të shtresave në nevojë

Autori i Lajmit: red.
“Të gjitha gratë e pranishme këtu janë përfaqësuese të bizneseve të suksesshme, por janë dhe nëna shembullore dhe filantropiste që mendojnë se në një kënd të biznesit të tyre duhet të ketë një fond gati për të dhënë ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë”

Jeta politike e vendit njeh mjaft gra aktive, por kur ato bashkojnë forcat me gratë aktive në biznes, impakti për shoqërinë dhe vendin mbetet të jetë pozitiv. Takimi mes Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, dhe Komitetit të Gruas Aktive në Biznes në Dhomën Amerikane të Tregtisë, ka pasur në qendër pikërisht këtë ide. Si mundet politika dhe biznesi kur menaxhohen nga gra profesioniste që janë të suksesshme në fushën e tyre t i vendosin në shërbim të shtresave në nevojë. “Më pëlqen ideja që 2009-ën ta filloj me një takim me gratë lidere në fushën e biznesit për të çuar tek gjithkush një mesazh të fortë se bashkë ne mund t ia arrijmë”, – ka thënë Topalli gjatë takimit. Duke u prezantuar me anëtaret e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Topalli ka kërkuar që biseda të kapërcejë kufijtë e formalitetit të takimit dhe të jetë i lirë për të shkëmbyer mendime dhe ide se si mund të jetë i frytshëm një bashkëpunim i tillë në të ardhmen. “Të gjitha gratë e pranishme këtu janë përfaqësuese të bizneseve të suksesshme, por janë dhe nëna shembullore dhe filantropiste që mendojnë se në një kënd të biznesit të tyre duhet të ketë një fond gati për të dhënë ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë”, – ka thënë Olimbi Ibrahimi, kryetare e Komitetit të Gruas Aktive në Biznes në Dhomën Amerikane të Tregtisë. Këtë frymë ka sjellë ky Komitet i Gruas në takimin me Kryetaren e Kuvendit, duke i ofruar ndihmë konkrete financiare për nismat e saj sociale. “Ne, filantropinë që e organizojmë secila më vete, kemi vendosur ta zyrtarizojmë duke hapur një llogari të përbashkët si Komitet me fonde që do të vihen në dispozion të atyre që kanë nevojë dhe ju ftojmë që të kërkoni ndihmën e Dhomës Amerikane kur të keni nevojë”, – ka deklaruar zonja Ibrahimi. Gjatë takimit, zonja Topalli ka shprehur gatishmërinë që të ofrojë ndihmën e institucionit që ajo drejton për të ofruar mundësinë e oponencës dhe asistimit të drejtpërdrejtë të grave në biznes në diskutimin dhe miratimin e ligjeve dhe politikave fiskale. Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga stafi teknik i Komisionit të Ekonomisë në Kuvend që, në listën e grupeve të interesit, të shtojë dhe emrat e grave biznesmene në mënyrë që ato të jenë prezent në Komision kur flitet, sidomos, për ligje që prekin drejtpërdrejt sferën e tyre të biznesit. “Ju jeni një grup përfaqësuesesh të biznesit të interesuara që t ju dëgjohet zëri dhe prezenca në këtë Komision ju ndihmon të loboni për ligje që mbrojnë interesat tuaja”, – ka deklaruar Topalli. Duke folur mbi punën që bën Dhoma Amerikane, të filtruar në Komitetet e veta, Floreta Luli – Faber ka deklaruar se Dhoma ka të fortë jo vetëm Komitetin e Gruas, por dhe Komitetin e Taksave dhe Ligjeve ku gjithashtu ato japin një ndihmesë të madhe. “Ne kemi një Komitet Taksash e Ligjesh që për çdo ligj të ri që qarkullon, tërheq mendimin e të gjithë anëtarëve, filtron kërkesat e tyre i miraton në bord dhe vjen i paraqet në Komisionin e Ekonomisë pikërisht me synimin për të ruajtur dhe mbrojtur interesat e tyre“, – ka deklaruar zonja Faber. Lobimi, sidomos kur në qendër të saj vihen interesat e gruas si një shtresë e rëndësishme shoqërore, është përkrahur fort nga kryetarja Topalli. Kështu ajo ka përqafuar idenë e angazhimit të grave biznesmene të Dhomave të Tregtisë në takimet e saj jashtë shtetit kur axhenda e takimit përmban edhe takime me biznesin. Me mjaft interes është pritur nga Topalli edhe ideja mbi angazhimin në buxhetin e shtetit të një fondi që do të përdoret nga institucionet shtetërore për të koordinuar ndihmën e tyre me OJQ që punojnë në fushën e promovimit dhe ndihmës së gruas, në mënyrë që kjo çështje të kanalizohet në rrugë zyrtare. Duke biseduar me zonjën Jozefina Topalli mjaft anëtare të Dhomës kanë sjellë eksperiencat e tyre, por dhe problemet me të cilat përballen çdo ditë në biznesin ku punojnë. Kështu, Donika Mici ka folur mbi problemin e kreditimit dhe rritjes së konkurrencës që është duke përjetuar industria e fasonit dhe ndihmës që kërkohet me anë të politikave nga shteti. Përfaqësuesit e arsimit të lartë privat si Adriana Berberi apo Mimoza Pashko kanë folur për sfidat që kalojnë në rritjen e fuqizimin e këtij niveli arsimor në vënd. Problematikat e tyre kanë sjellë edhe studiot e noterisë të cilat kanë nevojë disiplinimin e këtij tregu nëpërmjet hartimit të ligjeve dhe rregulloreve të reja. Përfaqësuesja e Coca-Cola-s ka ngritur problemin e përmirësimit të infrastrukturave kanalizuese për të ndihmuar ndërmarrjet prodhuese të mos ndotin ambientin me mbetjet e tyre industriale. Takimi mes Komitetit të Gruas Aktive në Biznes dhe kryetares Jozefina Topalli ka kaluar në një frymë mjaft të ngrohtë e miqësore duke lënë vend për takime të tjera në të ardhmen që e çojnë edhe më tutje dhe e bëjnë konkrete idenë e bashkëpunimit. Takimi i djeshëm ishte në kuadër të fushatës promovuese të Kryetares së Kuvendit për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje dhe në politikë.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›