Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi përkushtimin e respektimit të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
“Kosova ka arritur shumë progres në konsolidimin e shtetësisë së saj dhe se ISG-ja mirëpret gatishmërinë e Kosovës për të vazhduar dialogun me të gjithë fqinjët e saj dhe për t’i kontribuar stabilitetit në rajon”, theksohet në deklaratën e miratuar nga ISG-ja.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar inkurajon përpjekjet shtesë për të siguruar njohje të mëtejme. ISG-ja mirëpret gatishmërinë e Kosovës për të vazhduar dialogun me të gjithë fqinjët e saj dhe për t’i kontribuar stabilitetit në rajon.
“ISG-ja e rithekson mbështetjen e saj të plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICR), Z. Pieter Feith dhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) për të përkrahur dhe mbikëqyrur implementimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin (PGjS) nga autoritetet e Kosovës dhe për t’i ndihmuar ato në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe shumetnike”, thuhet në deklaratë.
ISG-ja mirëpret vendosjen e planifikuar të misionit të EULEX-it në mbarë territorin e Kosovës. ISG është një trup ndërkombëtar që përbëhet nga drejtorët politik të Ministrive të Jashtme të vendeve që kanë njohur Kosovën, ndër të cilët bëjnë pjesë: Austria, Republika Çeke (megjithëse akoma nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës), Finlanda, Suedia, Turqia, Belgjika, Danimarka, Hungaria, Sllovenia, Zvicra dhe pesëshja o madhe perëndimore, pra, SHBA ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, etj. (INA)