Emergjenca: Elbasani, qark me rrezikshmëri
Elbasan- Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile e konsideron Qarkun e Elbasanit me shkallë të lartë risku në disa drejtime. Sipas Drejtorit të kësaj drejtorie Alfred Olli problem për këtë qark mbeten akset rrugore Elbasan-Qafë Thanë, Elbasan-Tiranë, Elbasan-Gramsh dhe Librazhd-Peshkopi, që mund të bllokohen nga bora dhe ngricat gjatë periudhës së dimrit.
Rrezik për Elbasanin paraqet edhe përmbytja nga përroi i Zaranikës dhe përmbytjet e lumit Shkumbin në segmentin Elbasan-Papërr. Por gjatë një takimi të zhvilluar në prefekturë, Olli u ndal edhe në dhënien e studiuar të lejeve të ndërtimit si dhe në marrjen e masave për tregtimin brenda normave të lejuara të gazit të lëngshëm për të mos u përsëritur ngjarjet e ndodhura në Gjirokastër dhe Kuçovë.
Për të përballuar situatën e dimrit dhe për të parandaluar rreziqe me pasoja në të ardhmën, Drejtori i Emergjencave ka kërkuar bashkëpunim të institucioneve, drejtorive dhe ndërmarrjeve me shtabin e Emergjencave të ngritur në këtë prefekturë.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave ka në projekt ngritjen e një qendre operacionale në Elbasan. Qarku i Elbasanit zë vendin e parë në shkallë republike përsa i përket madhësisë së territorit.