Spiunët, PD draft të ri në Kuvend
TIRANË- Partia Demokratike i është rikthyer sërish draftit, që ajo kishte depozituar në kryesinë e Kuvendit. Mungesa e konsensusit të deritanishëm mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, ka bërë që PD tanimë të hartojë një draft krejtësisht të vetin, duke u bazuar mbi përmbajtjen e draftit të përgatitur sesionin e fundit parlamentar. Negociatat mes dy relatorëve për këtë çështje, nuk kanë çuar në asnjë zgjidhje. Të kontaktuar nga “Shekulli”, relatorët Aldo Bumçi dhe Arben Isaraj janë larg qëndrimeve për një draft të përbashkët. Bumçi shprehet se është në pritje të PS-së për të gjetur një zgjidhje, pasi ligji nuk mund të arkivohet pafundësisht, ndërsa Isaraj shprehet se është “dorëzuar” nga negociatat, pasi PD po punon për një draft krejtësisht të ri, për të cilin ai nuk ishte në dijeni. Ndërkohë, burime nga PD shprehen se ka pasur tentativa të dyanshme për të gjetur një zgjidhje, porse gjithçka ka mbetur pezull dhe se në fund, në rast të mungesës së konsensusit, PD do të shqyrtojë vetëm draftin e saj, përmbajtja e së cilës, ka mbetur për disa rregullime të fundit, por që sipas burimeve nuk ndryshon përmbajtjen thelbësore të saj.
Dallimet
Deri më tani, dy partitë kryesore në vend ndahen në dy çështje thelbësore; Partia Socialiste kundërshton verifikimin e figurës së "personave që i janë nënshtruar njëherë këtij procesi, përmes ligjeve të mëparshme". Ndërkohë, që për demokratët "në rast se një person është verifikuar dhe ka dalë "i pastër", ai nuk ka përse të mos kontrollohet përsëri". Ndërsa çështja e dytë, për të cilën palët nuk bien dakord, lidhet me faktin nëse duhet të ndërpritet ose jo mandati i personave zyrtarë që rezultojnë të implikuar, pas hapjes së dosjeve. Projektligji "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë shtetërore", u paraqit fillimisht në Komisionin e Ligjeve në katër variante të ndryshme, propozime të tre grupeve parlamentare PD, PS dhe PDK dhe deputetit demokrat, Aleksandër Biberaj. Më pas Partia Demokratike solli një draft të dytë për spiunët, duke i kërkuar PS-së që të punohet pikërisht mbi këtë draft.
Historiku
Në muajin Nëntor të vitit 1995, Partia Demokratike, asokohe në pushtet miratoi ligjin "Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik“. Sipas këtij ligji, duke nisur nga Presidenti e deri tek punonjës më pak të rëndësishëm të administratës nuk do të lejoheshin që të kryenin detyra në rast se gjatë periudhës 28.11.1944 gjer më 31.3.1991 kishin qenë anëtarë ose kandidatë të Byrosë Politike, sekretarë, anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, sekretarë të Parë të Komitetit të Partisë së Punës etj. Por një vit më vonë, Këshilli i Europës, në raportin monitorues për Shqipërinë, vlerësoi se përjashtimi kolektiv ishte i papranueshëm dhe se në dallim nga vende të tjera, ndalonte edhe kandidimin e personave për në parlament. Në janar 1997, KE-ja miratoi një rezolutë të ashpër në këtë pikë, duke kërkuar amendimin e ligjit për ta përshtatur me parimet dhe standardet e Këshillit të Europës.
Pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 1997, që sollën në pushtet socialistet, ligji u rishqyrtua dhe u modifikua, duke ndryshuar shumë nene të tyre. Por me riardhjen e koalicionit të djathtë, kur Këshilli i Europës miratoi Rezolutën për dënimin e Krimeve të Komunizmit, çështja e hapjes së dosjeve dhe e denoncimit publik të spiunëve, u rikthye serish për diskutim. Dy partitë kryesore PD dhe PS depozituan nga një projektligj në kuvend. Edhe PDK depozitoi një ligj me qëllim që ti përshtatej frymës së Rezolutës së Këshillit të Europës. Të tria këto drafte u mbajtën në sirtar për dy vjet nga mazhoranca dhe çështja u la në harresë, për t’ju rikthyer këtij debati vetëm pak muaj më parë. Në këtë lëvizje, u angazhua edhe deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, i cili hartoi një draft më të plotë bazuar mbi eksperiencën që kanë ndjekur vendet e tjera ish-komuniste për hapjen e dosjeve.
Eksperienca Europiane
Gjermania
Gjermania ka miratuar ligjin për hapjen e arkivave të ish-policisë sekrete të Gjermanisë Lindore (STAS-i) që në vitin 1991.Në bazë të këtij ligji të dhënat e STAS-it janë në internet dhe çdo qytetar mund të ketë akses për të parë të dhënat personale. Deri tani mbi 2 milionë gjermanë kanë kontrolluar të dhënat e tyre personale.
Çekia
Në vitin 2003, në Çeki u bënë publike listat e plota të bashkëpunëtorëve të ish-policisë sekretë (StB), ndërkohë që 10 vjet më parë ishte bërë publike një listë prej rreth 160.000 bashkëpunëtorëve.
Sllovakia
Në nëntor 2004, Sllovakia bëri publike dosjet e ish-policisë sekretë (StB), të krijuara që nga viti 1945. Parashikohet publikimi i rreth 21.000 emrave.
Polonia
Në nëntor 2006, Presidenti polak z. Lech Kaczynski dekretoi ligjin e ri për hapjen e dosjeve të ish-shërbimeve sekrete. Me ligjin e ri pritet që 400.000 polakë të jenë të detyruar për të bërë verifikimin e figurës së tyre. Në bazë të ligjit të ri, të dhënat janë të hapura për publikun.
Hungaria
Hungaria ka miratuar në vitin 2003 ligjin për hapjen e dosjeve, në bazë të të cilit, çdo qytetar mund të kontrollojë dosjen e vet. Nuk hapen dosjet që kanë të bëjnë me çështjet e sigurisë kombëtare.
Bullgaria
Bullgaria ka miratuar ligjin për hapjen e dosjeve me 6 dhjetor 2006 dhe çdo qytetar mund të shohë të dhënat e veta.
Vendet e Rajonit:
Sllovenia, ka hapur pjesërisht arkivat që në prill 2003.
Kroacia, ka hapur arkivat e policisë sekrete (UDBA) në nëntor 2001.
Maqedonia, ka miratuar ligjin për hapjen e dosjeve me 22 janar 2008.
Serbia, ka miratuar ligjin në vitin 2003.
Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, akoma nuk kanë miratuar ligje të tillë.
Kategoritë që përfshihen në listën e subjekteve të verifikimit, sipas draftit të PD-së:
Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës;
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi;
Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore;
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive;
Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën “c”;
Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;
Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake;
Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR);
Funksionarë në Gardën e Republikës;
Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel Qarku, si dhe në nivel Komisariati;
Diplomatët në përfaqësitë tona diplomatike.