E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH, privatizimi fillon me kushte

 Kompania ceke do të vijojë negociatat me Ministrinë e Ekonomisë për kushtet e kontratës TIRANE-Negociatat mes Ministrisë së Ekonomisë dhe kompanisë CEZ s.a për kontratën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kanë filluar me kushte nga të dyja palët. Qeveria do të kërkojë uljen e humbjeve sipas objektivave të përcaktuara qartë, ndërsa kompania mund të synojë uljen e çmimit. Pas hapjes së ofertës financiare të CEZ s.a, prej 102 milion eurosh dhe shpalljes fituese në tender, kompania ceke do të vijojë negociatat me Ministrinë e Ekonomisë për kushtet e kontratës. Duke iu referuar burimeve nga ky dikaster investitorit do t’i vihet kriter ulja e nivelit të humbjeve në 32 për qind deri në fund të këtij viti dhe në 15 për qind deri në vitin 2014. Por edhe kompania ceke nga ana e saj pritet të vendosë kushtet e saj, një prej të cilave mund të jetë edhe ulja e çmimit. Qeveria parashikon që brenda këtij viti, operatori i sistemit të shpërndarjes të kalojë në duart e investitorit privat. Kjo do të thotë se gjatë tre muajve në vijim do të përfundojë negocimi i kontratës, si dhe miratimi i saj nga qeveria dhe Parlamenti. Pse u s’kualifikua Enel S.p.a Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO), krijuar me vendim të Ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjisë, në mbledhjen e dy ditëve më parë, pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur nga pjesëmarrësit në tenderin për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes konstatoi se nga shqyrtimi i dokumentacionit të dy shoqërive ofertuese konkretisht shoqëria italiane Enel S.p.A dhe shoqëria ceke CEZ a.s. rezultoi se oferta teknike e shoqërisë italiane Enel SpA nuk ishte në përputhje me udhëzimet e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit. Në një njoftim për shtyp, Ministria e Ekonomisë citon se mangësitë e evidentuara në dokumentacion lidheshin me mungesën e planit të biznesit, me tekstin e formës së aplikimit në tender, me mungesën e draftit të marrëveshjes për blerjen e aksioneve, si dhe me formën e konfirmimit të kushteve minimale të detyrueshme të përformancës teknike, që sipas Ministrisë së Ekonomisë nuk ishte në përputhje me aneksin 17 të udhëzimeve për ofertuesit. Ndërkohë, që po sipas përfundimeve të nxjerra nga kjo ministri, kanë vlerësuar se dokumentacioni i paraqitur nga kompania ceke CEZ a.s. është në përputhje të plotë me udhëzimet e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit. Oferta teknike e paraqitur nga kompania ceke CEZ a.s. sipas Komisionit të Vlerësimit të Ofertave i kalonte vlerësimin teknik, ndaj dhe asaj iu dha e drejta që të vazhdojë proçedurat e tenderit me hapjen e ofertës financiare të CEZ s.a. Cilat kompani morën pjesë në tender TIRANË- Një ditë më parë në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u bë hapja e ofertave zyrtare për tenderin e hapur ndërkombëtar për privatizimin e 76 për qind të aksioneve të OSSH sh.a. Në këtë tender u paraqiten tre kompani: ENEL S.p.A. ENERGIE STEIERMARK AG, dhe CEZ a.s. Në prani të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe përfaqësuesve të firmave pjesëmarrëse dhe medias janë hapur zarfet me ofertat teknike të kompanive ENEL S.p.A. dhe CEZ a.s ndërsa kompania ENERGIE STEIERMARK AG deklaroi tërheqjen nga gara. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, u kryesua nga zv. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali. Privatizimi i OSSH-së, sipas Ministrisë së Ekonomisë, pritet të sjellë një përmirësim dinamik e rrënjësor të situatës së furnizimit me energji elektrike në vend, përmirësim të shpejtë të shërbimit në fushën e furnizimit me energji elektrike dhe reduktim agresiv të humbjeve teknike dhe joteknike, duke mbajtur në kontroll kostot dhe çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët. Ky privatizim, po sipas Ministrisë së Ekonomisë, do të sjellë rritje të sigurisë dhe cilësisë së operimit të rrjetit, tërheqje të kapitalit të huaj në investimet e nevojshme në rrjet si dhe eliminim të efekteve negative të sektorit te energjisë elektrike në buxhetin e shtetit. BSH, analizë për normën e interesit TIRANË- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi politikën monetare për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008. Në përfundim të analizës ekonomike dhe financiare, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit prej 6.25 për qind. Sipas Guvernatorit Fullani, Banka e Shqipërisë i ka paraprirë zhvillimeve të fundit në sistemin bankar shqiptar, duke ndermarrë një sërë reformash strukturore, që synojnë të garantojnë funksionimin normal të tij dhe ruajtjen e ekuilibrave financiarë. Gjatë vitit të fundit, Banka e Shqipërisë është fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës teknike dhe ligjore të sistemit bankar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›