E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiunët, PS bën kthesë: Do bashkëpunojmë me PD-në



Kryetarja e grupit kuvendor socialist, Valentina Leskaj, ka shpjeguar dje qëndrimin e socialistëve për diskutimin e projekteve për hapjen e dosjeve, duke justifikuar braktisjen e Komisionit të Ligjeve nga deputetët e PS-së. Por ajo ka thënë se PS do të bashkëpunojë për një ligj të ri me konsensus, në një kohë që ka vënë disa kushte për këtë bashkëpunim. “Partia Socialiste nuk ka bojkotuar Komisionin e Ligjeve. Partia Socialiste ka të paktën një javë që ka paraqitur 2 kërkesa lidhur me shqyrtimin e projektligjit për dosjet. E para ka kërkuar pak më shumë kohë, në mënyrë që ky ligj të marrë seriozitetin, vlerësimin, konsulencën dhe asistencën e nevojshme, do të thotë, që të konsultohet me ekspertë brenda vendit dhe pse jo me ekspertë ndërkombëtarë. E dyta, Partia Socialiste ka kërkuar të sqarojë, që ky ligj nuk është një ligj për hapjen e dosjeve dhe duhet që ta bëjë edhe njëherë të qartë për opinionin publik”, - tha Leskaj dje para mediave. Sipas saj, projekti i paraqitur së fundmi nga Partia Demokratike nuk është një ligj për hapjen e dosjeve, është një ligj lustracioni. “Për këtë arsye, ne kemi kërkuar javën e kaluar, që përveç afatit kohor, projektligji të ketë në themel rezolutën e Këshillit të Evropës, e cila i adresohet dhe në mënyrë specifike çështjes së lustracionit, i adresohet çështjes së hapjes së dosjeve”, - shtoi kreu i grupit të PS-së. Duke komentuar deklaratën e Patozit, i cili tha po dje se Komisioni i Ligjeve do të ketë kohë që t’i nënshtrohet një debati publik, Leskaj tha se “reflektimi i z. Patozi dhe i Partisë Demokratike është i mirëpritur”. Duke vënë theksin tek koha e shkurtër që është në dispozicion për ta miratuar, ajo ka shtuar se “është një ligj serioz dhe nuk mund të bëhet blic, pra brenda një jave, sidomos në një moment që diskutohen shumë ligje”. Leksaj iu referua më tej deklaratës së OSBE-së që kërkoi diskutime të gjëra dhe konsensus politik për këtë ligj. Ajo u shpreh se “nuk është vetëm deklarata e OSBE-së, por është dhe raporti i BE-së për mënyrën e funksionimit të Parlamentit, ku një nga kritikat më të forta në raportin e fundit të BE-së, ka qenë çështja e miratimit të ligjeve me nxitim në Parlamentin shqiptar”. Sipas saj, ky ligj nuk mund të kalojë me nxitim dhe pa u konsultuar me ekspertë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›