LSI kërkon garanci nga OSBE-ja për Kodin e ri Zgjedhor
Në emër të LSI-së, kryetari i KDK-së, Edmond Haxhinasto, i ka kërkuar OSBE-së që të jetë e vëmendshme ndaj Kodit të ri Zgjedhor që po hartojnë dy partitë e mëdha. “I kërkojmë OSBE-së dhe ODIHR-it, Komisionit Evropian dhe partnerëve tanë euro-atlantikë, të angazhohen me një vëmendje dhe kujdes shumë më të madh, për të garantuar legjitimitetin e procedurave dhe standardeve ligjore të Kodit të ri Zgjedhor, në mënyrë që Shqipëria të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme në vitin 2009 dhe të hiqet nga lista e zezë e vendeve problematike”, - tha dje Haxhinasto. Ai ka përshëndetur qëndrimin e dy ditëve më parë të ambasadorit Bosch, i cili kërkoi një proces gjithëpërfshirës, dhe një debat më serioz në shqyrtimin dhe miratimin e legjislacionit nga Kuvendi i Shqipërisë. Haxhinasto tha më tej se “kujtojmë se shqetësimi i OSBE-së për procesin e miratimit të legjislacionit dhe cilësisë së tij përbën gjithashtu një nga kritikat më të ashpra që Bashkimi Evropian bën për Shqipërinë në Progres-Raportin e vitit 2007”. Sipas përfaqësuesit të LSI-së, një angazhim i tillë nga komuniteti ndërkombëtar, organizatat dhe vendet partnere, është një domosdoshmëri duke pasur parasysh edhe eksperiencat tepër të hidhura të mosveprimit të tyre në të kaluarën, sidomos në parandalimin e “Megadushkut” në vitin 2005, ndonëse i paralajmëruar në kohë nga LSI-ja. “Shqiptarët meritojnë të ecin me shpejtësi drejt Evropës dhe nuk mund të mbeten peng i papërgjegjshmërisë së politikës së vjetër për të ofruar standarde evropiane, ndër të cilat zgjedhjet e lira e të ndershme janë më themeloret”, - tha Haxhinasto.