Ndoka i patundur

Edhe pse ndryshimet në qeveri duket se tashmë janë të pashmangshme dhe pritet që të ndodhin brenda pak ditëve, Nard Ndoka i përfolur për të lëvizur nga dikasteri i Shëndetësisë thotë se mes tij dhe kryeministrit Sali Berisha nuk ka nisur asnjë negociatë. Duke vlerësuar rolin e tij në krye të dikasterit të Shëndetësisë, Ndoka thotë se Partia Demokristiane po e përmbush me sukses misionin e saj qeverisës. Vetë dikasteri i Shëndetësisë, i drejtuar nga Ndoka, ka marrë vlerësimet maksimale për përballimin e situatës emergjente të krijuar nga shpërthimi i municioneve në Gërdec megjithatë ky dikaster është vënë në shenjestër kohët e fundit. Tashmë, ai përflitet për dy poste të rëndësishme, atë të zëvendëskryeministrit dhe për atë të ministrit të Kulturës. Vetë Ndoka duket se nuk është shumë dakort me një lëvizje të tijën nga dikasteri që ka aktualisht, i cili është i një rëndësie të veçantë, në përputhje edhe me peshën që kjo parti ka në koalicion. I pyetur nëse do t’a pranonte postin e zëvendëskryeministrit në rast se do t’i ofrohej, Ndoka përgjigjet se ai është një post i një rëndësie shumë të madhe, megjithatë duke qenë se aktualisht është në qeveri, ky post mund të shërbente për aleatët republikanë që janë jashtë qeverisë. Kjo zgjidhje, mund të shmangte gjithashtu edhe ndryshimet e qeverisë dhe kënaqjen edhe të republikanevë të cilët kanë deklaruar se nuk janë kundër një posti të tillë, ndërsa nuk u është ofruar ndonjëherë. Ndërkohë, posti i dytë për të cilin Ndoka përflitet se mund të kalojë, është ai i ministrit të Kulturës. I pyetur nëse do të refuzonte këtë post në rast se Shëndetësia do t’u ofrohej republikaneve, Ndoka thotë se kjo do të diskutohet me strukturat e Partisë Demokristiane të cilat më pas do të vendosin. Aktualisht, Partia Demokristiane e drejtuar nga Ndoka është partia e dytë aleate më e rëndësishme, pas republikanëve. Tashmë republikanët kanë nisur negociata informale për ripërfshirjen e tyre në qeverisje dhe dikasteri që ata kërkojnë duhet të jetë një dikaster prioritar, ku bën pjesë edhe dikasteri i Shëndetësisë. Vetë kryeministri Berisha,sipas republikanëve, ka premtuar se shumë shpejt do t’i përfshijë ata në qeverisje, megjithatë duket se nuk ka bërë të ditur nëse përfshirja e tyre do të sjellë edhe një ristrukturim të qeverisë. Por kërkesa e republikanëve për rikthimin e tyre në qeveri në rang ministri ka “detyruar” kryeministrin Sali Berisha që të nisë përllogaritjet. Ai tashmë ndodhet para dy zgjidhjeve, riformatimit të qeverisë ose plotësimin e vendit vakant të zëvendëskryeministrit duke ua dhënë atë republikanëve. Varianti i parë është ai i ndryshimeve dhe rotacionit të disa ministrave të dikastereve të Kulturës, Punës, Shëndetësisë, Transporteve, Mjedisit dhe Bujqësisë, që aktualisht janë më të përfolurat për t’u bërë pjesë e ndryshimeve. Ndërsa varianti i dytë duket se do të kënaqte më shumë ministrat aktualë, të cilët nuk preferojnë të ikin nga posti i tyre apo të ndërrojnë karrige. Duke qenë se ka mbetur edhe një vit nga përfundimi i këtij mandati qeverisës, ndryshimi i karriges për disa ministra do të sillte edhe një “mosambientimin” e tyre të plotë me dikasterin e ri. Një ndër arsyet është se ata për 1 vit qeverisës e kanë pothuajse të pamundur të bëjnë ndonjë reformë të thellë, por e kanë të vështirë gjithashtu edhe të përshtasin militantët dhe njerëzit e tyre me ndonjë punë në dikasterin e ri. Prandaj, ministrat aktualë duket se nuk i mirëpresin “ndryshimet” në qeveri. Ndërkaq, mosndryshimi i qeverisë dhe dhënia e postit të zëvëndëkryeministrit mund të mos kënaqte edhe aq shumë republikanët të cilët kanë kërkuar që të drejtojnë një dikaster prioritar. Dhënia e postit të zëvendëskryeministrit, edhe pse nuk është hedhur poshtë nga republikanët, nuk mund t’u përshtatej atyre pasi është një pozicion që nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë dhe përfaqësuesi i PR-së nuk do të mund të kënaqte elektoratin republikan. Ndërkaq, republikanët prej disa ditësh janë në negociata me kryeministrin Sali Berisha i cili u ka premtuar se do t’i përfshijë atë në qeverisje, megjithatë akoma nuk ka dhënë një përgjigje të saktë se kur mund të ndodhë kjo gjë.