E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi ligjin e ri Antimafia

GENTIAN TRENOVA 

Pasi kam lexuar mendime të ndryshme në lidhje me projektligjin e ri antimafia, pasi kam menduar dhe kam rrahur kundërshti që lindin në këtë moment shoqëror, shpreh edhe unë  mendimin tim në lidhje me këtë nismë të re. A është i nevojshëm ky ligj, a ka probleme ligjore dhe më së shumti kushtetuese ky ligj, a cenon liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në veçanti të drejtën e pronësisë së individit. A lë hapësira për abuzime ligji në fjalë.
Së pari, ligji i ri antimafia është më se i nevojshëm në aktualitetin shoqëror. Krimi i organizuar me kalimin e kohës bëhet më i sofistikuar në organizim, në lidhjet me organizatat e tjera dhe grupet e tjera kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit. Objektivi kryesor i grupeve kriminale është që nëpërmjet rrugëve jo të ligjshme dhe të ndaluara të vënë pasuri dhe të rriten ekonomikisht në mënyrë të shpejtë duke dëmtuar pjesën tjetër të shoqërisë, duke i marrë asaj në mënyra të ndryshme dhe kriminale pjesë të pasurisë publike dhe pasurive individuale të fituara me punë dhe me ndershmëri.
Jo në pak raste thuhet se krimi është një hap përpara se shteti, ose një mënyrë organizimi zbulohet nga shteti jo në kohën e duhur por kur mënyra të tjera organizimi kriminal, të reja kanë filluar ndërkohë. Nuk janë të pakta rastet kur rrjetit gjurmues të policisë dhe hetimit i mbeten vetëm njerëzit më të parëndësishëm të organizimit kriminal.
Duhet të vëmë në dukje këtu se në rastet e arrestimeve të personave të përfshirë në rrjete kriminale, janë më së shumti njerëz të varfër të cilët kanë marrë përsipër të bëjnë transport të lëndës narkotike dhe se tregtuesit e saj me shumicë u shpëtojnë zbulimit dhe ndjekjes penale. Gjithashtu, edhe në rastet e abuzimit në fondet shtetërore më së shumti ndjekja penale bie mbi personat që për shkaqe të ruajtjes së vendit të punës firmosin me urdhër nga shefat e tyre që nuk lënë gjurmë.
Ndjekja penale ndaj personave të parëndësishëm dhe të pafuqishëm ekonomikisht që bëhen pjesë e krimit të organizuar për shkaqe më së shumti ekonomike, nuk ndikon shumë në rezultatet përfundimtare kundër krimit të organizuar.
Padronët dhe shefat e mëdhenj ngelin pa lagur. Shoqëria dhe shteti nuk duhet të rrijë duarkryq dhe të justifikojë pasuritë e vëna në mënyrë kriminale. Tashmë ka ardhur koha që nuk duhet të themi se sa i zoti është ky biznesmen, që punëtorët e tij apo automjetet e tij në mënyrë të vazhdueshme kapen me lëndë narkotike dhe ai shpëton se nuk provohet lidhja e drejtpërdrejtë e tij me lëndën narkotike, apo të mendohet në marrjen e një posti të rëndësishëm, jo nga paga dhe emri, por të ardhurat e tjera të kundërligjshme që mund të përfitohen.
Nga shumë zëra kam dëgjuar se ligji cenon liritë dhe të drejtat e individit dhe se cenon dhe edhe kushtetutën.
Në lidhje me këto shqetësime duhet të shpjegojmë se ligji ka element penal të ndëshkimit. Ky ndëshkim ka të bëjë vetëm me pasuri që dyshohet se janë vënë si përfitime nga organizimet kriminale. Ligji nuk shtrin efekte mbi liri dhe të drejta të tjera të njeriut, por vetëm te pasuria e tij. Sigurisht që edhe e drejta e pronësisë është një nga të drejtat e rëndësishme të njeriut që duhet respektuar. Por në këtë gjë nuk duhet të harrojmë se kjo e drejtë shtrin sferën e saj vetëm mbi pasurinë e fituar në mënyrë të ligjshme dhe të ndershme. Në rast se në një pasuri që në mënyrë të qartë dhe të dokumentuar është përfituar në mënyrë të ligjshme do të aplikohej ligji, atëherë do të ishim përpara një shkelje flagrante të drejtës së pronësisë. Ligji i ri këtë gjë nuk e lejon për rrjedhojë ai nuk cenon të drejtat mbi pasurinë të fituar në mënyrë të ligjshme.
Një shqetësim vjen se çfarë do të ndodhë me pasuritë e padeklaruara por që nuk kanë ardhur si rezultat i veprimtarisë kriminale. Ligji në fjalë nuk pengon personat që të bëjnë deklarimet e duhura sipas ligjeve financiare në fuqi, as nuk ndëshkon për mosdeklarim të pasurisë apo të ardhurave. Duhet të vëmë në dukje këtu se ligjet e tjera që kanë të bëjnë me të drejtën e shtetit për të mbledhur tatimet dhe taksat janë shumë më të rrepta se ligji në fjalë. Nuk përjashtohet mundësia që zbatimi i ligjit antimafia të sekuestrojë pasuri, të cilat janë të padeklaruara dhe për të cilat nuk janë paguar detyrimet shtetërore. Por kjo gjë nuk pengon personin e interesuar që nëpërmjet një procedure të rregullt ligjore të paguajë detyrimet që ka ndaj shtetit. 
Së fundi, problem tjetër që del për diskutim është se cili institucion do të ketë kompetencën për të sekuestruar dhe më pas për të konfiskuar pasuritë të cilat dyshohen se janë vënë nga veprimtaria kriminale. Sigurisht që të gjithë janë dakord që këtë kompetencë mund ta ketë vetëm gjykata. Ligji këtë përcakton. Ajo që është vendosur për diskutim është se sepse me një ligj që miratohet me një shumicë të thjeshtë parlamentare i jepen kompetenca shtesë një gjykate, kur kjo e fundit i ka të përcaktuara kompetencat me anë të ligjeve, miratimi i të cilave kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament.
Në lidhje me këtë problem nuk mund të gjykohet në mënyrë të menjëhershme dhe kategorike. Problematika në fjalë është hasur edhe në ligjin e mëparshëm që ka filluar efektet në vitin 2004. Gjykata shqiptare ka pasur për objekt shqyrtimi çështje ligjore me bazë ligjore ligjin në fjalë. Në përfundim edhe Gjykata e Lartë me vendimin unifikues ka trajtuar dhe ka unifikuar praktikën gjyqësore lidhur me çështjet me objekt sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Pa dashur të përcjell hollësi, në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se edhe shqetësimet në lidhje ligjin, përsa i përket shumicës parlamentare që e ka miratuar, barrën e provës, procedurat gjyqësore në lidhje me kërkesat për sekuestrim dhe konfiskim të pasurive, kompetencën e gjykatës janë ezauruar në interpretimet gjyqësore dhe së fundi me vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë. Përderisa edhe ligji i viti 2004 në lidhje me goditjen dhe parandalimin e krimit të organizuar ka të njëjtat sensibilitete juridike dhe nuk është konsideruar akoma nga Gjykata Kushtetuese si në kundërshtim me kushtetutën, atëherë nuk mund të  arsyetohet në mënyrë paragjykuese ligji i ri antimafia. 
 
*Autori është prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe
autor i librit “Interpretime Gjyqësore mbi Kodin e Procedurës Penale

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›