E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: PS të kthehet në Kuvend

 

ADI SHKEMBI

Komisioni Evropian i bën thirrje opozitës të rikthehet në Kuvend, pasi bojkoti i saj mund të ndikojë në përgatitjen e Opinionit nga Brukseli për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Deklaratën e bëri të ditur në Tiranë Drejtori i Përgjithshëm për Ballkanin Perëndimor në KE, Pierre Mirel gjatë një konference të përbashkët me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Sipas zyrtarit të lartë të KE-së, ajo që do të jetë e rëndësishme në përgatitjen e Opinionit është pikërisht përmbushja e kriterit politik dhe që ka të bëjë me funksionimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, konkretisht gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, liria e medias. “Ndoshta ju e dëgjuat që unë thashë se përsa i përket pyetësorit, të gjitha forcat në Shqipëri duhet të ndihmojnë. Dhe kur themi të gjitha forcat, duhet të kuptojmë edhe parlamenti. Dhe për këtë arsye, në mënyrë që parlamenti të ndihmojë, dhe të kontribuojë ashtu siç bëmë edhe me Parlamentin në Malin e Zi, nevojitet apo lipset që opozita të jetë në parlament. Në një demokraci, debati politik, diskutimet politike mund të bëhen vetëm në parlament dhe jo në rrugë”, tha Mirel. Drejtori i Përgjithshëm për Ballkanin Perëndimor në KE tha se Brukseli inkurajon dialogun mes pozitës dhe opozitës për gjetjen e një zgjidhje që PS-ja të rikthehet në Kuvend. Nga ana e tij, zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta theksoi se asnjë prej institucioneve të huaja nuk ka mbështetur publikisht hapjen e kutive të 28 qershorit. “Të jeni të sigurt ju që asnjë institucion, të paktën në botën demokratike, nuk kërkon rihapjen e kutive ose nuk parakupton të flitet për dialog pikërisht për këtë gjë, sepse ju e dini shumë mirë që OSBE-ODIHR kanë bërë një raport nëpërmjet të cilit i kanë certifikuar këto zgjedhje si zgjedhjet më të mira të zhvilluara deri më sot në Shqipëri”, u shpreh Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›