E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreshta për disa deputetë të PS-së

Tritan Shehu 

Vendosa t’ju drejtoj këto pak rreshta publike në radhë të parë juve, të nderuar kolegë, që bashkë me mua tashmë jeni, së paku teorikisht, deputetë me eksperiencë të Kuvendit të Shqipërisë, juve që vazhdoni akoma të ruani një koshiencë përgjegjësie e ndjenje politikani aktiv të një vendi demokratik. Dhe në grupin tuaj, të PS, jeni pa dyshim jo pak të tillë. Të gjithë deputetët në një Parlament kanë përgjegjësitë e tyre ndaj elektoratit, vendit dhe ndaj vetes së tyre, dinjitetit e personalitetit të tyre. Pa dyshim kjo përgjegjësi është disa herë më e lartë për ata, që në disa legjislatura janë ulur në tavolinat e asaj sallë. Jam i bindur se ju këto ditë keni nostalgji për atë ambient, se ndjeheni fajtor ndaj atij, ashtu si në fund të fundit ndjeheni të poshtëruar e të ofenduar në dinjitetin tuaj, në reputacionin tuaj. Por kjo nuk mjafton për një deputet e veçanërisht për një deputet me eksperiencë dhe të përgjegjshëm.
Ajo që po ndodh sot me grupin parlamentar të PS dhe me vetë PS është absurde. Në çdo analizë ajo është një tablo e rëndë tragjikomike, një shëmbëlltyrë e ndodhive të disa dhjetëra viteve më parë me “mëmën” e asaj partie, me të ashtuquajturit deputetë të asaj kohe, të asaj periudhe manekinësh në duart e një “lideri të madh”, diktator. Fatkeqësisht kjo po përsëritet dhe sot në familjen tuaj politike, por tashmë në Shqipërinë demokratike. Fatkeqësisht në këtë mënyrë, ju kolegët e mi, po humbni për çdo ditë që kalon nga një copë të madhe prej personalitetit tuaj, integritetit tuaj, duke u kthyer në instrumente në duart e disa njerëzve të papërgjegjshëm, aventurierë, pengje të kaluarës së largët, apo të disa “gardistëve të kuq”, pa asnjë të kaluar politike a vlerash publike. Në këtë mënyrë, ju me veprimet apo mos veprimet tuaja po nxisni, apo lejoni të rritet një strategji thellësisht antidemokratike, shumë larg aspiratave tona të përbashkëta. Ju kështu po kontribuoni në konsolidimin përfundimtar në krye të partisë tuaj të një grupi ekstremist, i cili jo vetëm që në radhë të parë do t’ju izolojë ju vetë politikisht, por që në vetvete mbart një rrezik të lartë për rrugën zhvilluese të vendit, për të gjithë qytetarët tanë, qofshin demokratë, socialistë apo diçka tjetër.
Ajo që po ndodh këto ditë me ju është paradoksale. Ju nuk zini vendet tuaja në Parlamentin tonë të përbashkët, nuk debatoni me ne, nuk prodhoni alternativë. Ju jeni kthyer në instrumente të një apo disa personave, që ju nxjerrin nëpër rrugë, ju lënë për gjithë natën pa gjumë nëpër çadra, ju bëjnë qesharakë duke kërkuar t’ju bëjnë të frikshëm. Historia njeh shfaqje të tilla. Shfaqje bojkoti pa fund të institucioneve demokratike, marshime natën, klithma histerike për përmbysje, për ultimatume, rrethime të institucioneve, mos respektim të institucioneve ndërkombëtare e partnerëve etj. etj. Dhe të gjitha këto, çfarë kanë pjellë? Kanë pjellë vetëm çmenduritë më të mëdha të kësaj bote, shkaqet e fatkeqësive më të mëdha të saj. Besoj se këto tablo janë akoma të gjalla në kujtesën tuaj si politikanë. Kjo është tragjikja, e cila fillon e mbaron këtu për t’ia lënë vendin komikes. Sot ne jemi në një epokë tjetër, në atë të demokracisë e integrimit. Dhe në këtë epokë, ata që ju nxisin duken si Don Kishotë, ndërsa ju si….!
Koha që kalon nuk punon për ju. Pas çdo dite bëhet më e vështirë për ju marrja e vendimeve të mëdha. Dhe këtë e dinë ata që ju përdorin, prandaj përpiqen t’ju imponohen, t’ju përçajnë, t’ju joshin, t’ju vonojnë në vendimet tuaja. Dhe këtë e bëjnë për t’i shërbyer ambicieve të tyre të mbrapshta, interesave të tyre financiare, të pista e kriminale, marrëzive të tyre. Ata kanë frikë nga ju, kur ju jeni të lirë. Disa nga ata vinë nga nomenklatura e vjetër, blloku i atëhershëm, disa nga mafia ekonomike e re, disa nga policia politike e diktaturës. Shumë nga ata i bashkojnë ngjarjet e 1997, si dhe dëshira e detyrimi i  atëhershëm apo i sotëm për të shkatërruar Shqipërinë, për të penguar zhvillimin e integrimin e saj, ndoshta sepse këto misione u janë paracaktuar prej kohësh.
Të nderuar kolegë! Për çudinë më të madhe, ithtarët më të zjarrtë të bojkotit brenda familjes suaj politike nuk janë deputetë të kësaj legjislaturë. Një pjesë tjetër e tyre nuk janë as pjesëtarë të vetë PS. Ata ngjajnë me shushunja, që kërkojnë t’i ngjiten çdo trupi, pa përfaqësuar asgjë tjetër, veçse vetes së tyre, marrëzisë së tyre. Vota e popullit, apo paniku, i kanë lënë jashtë asaj salle vendimmarrëse. Dikush prej tyre ka urrejtje për atë institucion, dikush përçmim, dikush komplekse, dikush smire që nuk është vetë, apo dikush tjetër të gjitha këto së bashku. Këto ndjenja kanë ata dhe për ju, prandaj shumë nga kolegët tuaj me vlera i lanë jashtë këtij Parlamenti, prandaj duan t’ju depersonalizojnë, t’ju poshtërojnë, t’ju lenë rrugëve e çadrave dhe juve t’ju kthejnë nga ligjvënës, në shkatërrues të ligjit. Një pjesë tjetër, pjesëtarë të këtij korri histerik, vinë nga hiçi. Nuk kanë asnjë të kaluar e personalitet politik. Nuk i lidh asgjë, as me PS vetë. Si të tillë nuk kanë çfarë të humbin në të gjithë këtë aventurë.
Dhe ju çfarë bëni. Deri më sot shumë pak. Maksimumi realizoni ndonjë deklaratë ambigue, konfuze, pa forcë e vendime reale. Një vazhdim i tillë do të jetë vetëvrasje politike për ju. Nesër do të jetë shumë më e vështirë. Unë mendoj se para çdo politikani ka momente që duhet të marrë vendime në përputhje me koshiencën e bindjet e tij. Ajo që e dallon një politikan është aftësia për të marrë vendime dhe kur këto duket sikur bien ndesh me opinionin e përgjithshëm të ambientit ku ndodhet, konkretisht të familjes suaj politike. Ai duhet t’i paraprijë atij ambienti, jo të konformohen përjetësisht me atë dhe n.q.s mund të jetë e nevojshme të paguajë një çmim politik të përkohshëm, brenda komunitetit të tij, për atë që bën. Por më tej vlerat e meritat nuk zbehen kurrë. Vendimet e vështira janë karakteristikë e njerëzve me ide të qarta, dhe të përgjegjshëm për pozicionin që kanë. Prandaj unë mendoj se ka ardhur momenti që dhe ju të merrni të tilla vendime e hapa konkrete politikë. Kjo është në nderin e çdo deputeti apo politikani, sado e vështirë të duket për ju sot. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›