E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fini: Shqipëria, shembull për sigurinë

 

ADI SHKEMBI

"Nuk mund të ketë modernizim dhe evropianizim të një vendi, pa pasur siguri dhe garanci në këtë vend. Ligjshmëri dhe siguri do të thotë luftë kundër çdo forme të kriminalitetit, do të thotë bashkëpunim i plotë me vendet fqinjë". Ky ka qenë mesazhi i Presidentit të Dhomës së deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha në vizitën e tij zyrtare në vendin tonë. Por sipas Finit ajo që Shqipëria ka bërë në këto sektorë në vitet e fundit, me bashkëpunimin e plotë dhe me mbështetjen e bindur të Italisë, përfaqëson një shembull shumë të mirë që duhet ndjekur në marrëdhëniet mes vendit tonë, Italisë dhe vendeve të tjera fqinjë. Fini theksoi faktin që numri i investitorëve italianë është shtuar në Shqipëri, tregon që siguria është e garantuar. "Nëse investitorët italianë që investojnë sot në Shqipëri janë gjithnjë e më të shumë të numër, kjo ndodhi sepse Shqipëria është një vend ku ligjshmëria dhe siguria janë të garantuara. Në një moment kur tema e emigracionit në vendin tim është një temë gjithnjë e më të rëndësishme, ajo që kanë bërë autoritetet shqiptare për të garantuar një emigracion të ligjshëm dhe të rregullt, është një shembull që u bën nder autoriteteve shqiptare dhe që mbahet në konsideratë të lartë edhe nga autoritetet italiane", theksoi zyrtari i lartë italian. Sipas Xhanfranko Finit në takimin me kreun e qeverisë është vlerësuar gjithashtu, bashkëpunimi shumë i mirë mes dy vendeve, kryesisht përsa i përket marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare. Fini theksoi se në disa sektorë si energjetika bashkëpunimi mes këtyre dy vendeve mund të përmirësohet. Pikërisht në këtë pikë, Kryeministri Berisha bëri të ditur se fusha e energjisë është një nga fushat me interesin më të madh nga të dy vendet. Sipas tij, projekte të mëdha energjetike janë në zhvillim e sipër në Shqipëri. "Një seri kompanish italiane kanë marrë licencat për energji eolike. ENEL ka një interes të madh për një termocentral në Porto Romano. Me presidentin Fini dhe më parë me presidentin Berluskoni kam diskutuar mbi mundësinë e bashkëpunimit për ndërtimin e një centrali nuklear në Shqipëri. Në tërësi, kapitulli i investimeve po ecën shumë mirë, përveç disa incidenteve me disa antiglobalë, për të cilat unë i thashë presidentit Fini se janë varianti i fundit i ekstremizmit marksist-leninist", theksoi kreu i qeverisë. Duke u ndalur në luftën kundër kriminalitetit, Kryeministri Berisha tha para mediave se Shqipëria është gatshme të nënshkruajë çdo marrëveshje me italianë për të pasur sukses në këtë drejtim. "Me presidentin diskutuam gjerësisht për probleme të sigurisë, rendit dhe luftës së përbashkët kundër kriminalitetit. Shqipëria ka vullnetin e plotë që së bashku me Italinë mike të krijojë modelin më të shkëlqyer të luftës me zero tolerancë, kundër kriminalitetit", theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij "Shqipëria është e vendosur të nënshkruajë të gjitha marrëveshjet, të kompletojë të gjithë kuadrin ligjor për bashkëpunimin më të ngushtë dhe më të shkëlqyer në këtë luftë. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të përmbushim detyrimet që kemi ndaj qytetarëve të saj për sigurinë e tyre. Bashkëpunimi në këtë drejtim është intensiv dhe i përditshëm". Në takimin mes dy delegacioneve Presidenti i Dhomës së deputetëve Fini u shpreh se parlamenti italian do të ratifikojë së shpejti protokollin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. "Interesi i Italisë për të forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë njeh unanimitetin e forcave politike italiane. Kjo duket nga ratifikimi i shpejtë që Parlamenti i bëri MSA-se dhe nga ratifikimi shumë i shpejtë që do të bëhet për anëtarësimin në NATO", tha Fini.

Topi: Shqipëria ka nevojë për Italinë

Kreu i Parlamentit italian, Xhanfranko Fini u prit dje paradite edhe nga Presidenti Bamir Topi. Kreu i shtetit nënvizoi faktin se marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve tona janë futur tashmë në një terren të natyrshëm bashkëpunimi, ku dialogu dhe shkëmbimet politike kanë arritur në nivelet më të larta, siç e tregojnë edhe shkëmbimet e shpeshta të vizitave të personaliteteve më të larta italiane dhe shqiptare, duke vlerësuar veçanërisht politikën parlamentare dhe përvojën italiane, si shumë të vlefshme për Parlamentin tonë. Pasi bëri një përshkrim të shkurtër të reformave të ndërmarra si ajo në drejtësi, etj., të arritjeve të dukshme të Shqipërisë siç ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit dhe marrja e ftesës për në NATO, Topi theksoi se, Shqipëria do të ketë ende nevojë për ndihmën dhe përvojën e Italisë në përpjekjet e saj për të përmbushur standardet dhe realizuar aspiratat integruese të mbarë popullit shqiptar, ku përfshihet anëtarësimi në Bashkimin Evropian edhe lëvizja e lirë e njerëzve. Fini vlerësoi arritjet e Shqipërisë, e cila si një vend gjeografikisht dhe shpirtërisht shumë i lidhur me nyje kulturore dhe historike me Italinë është bërë një partner i rëndësishëm ekonomiko-tregtar dhe një aleat për siguri e bashkëpunim, ku padyshim një meritë të madhe ka pasur udhëheqja politike e aftë e vendit tonë.

Fini në Kuvend: Projekte koncesionare për Korridorin Tetë

Presidenti i Dhomës së deputetëve italianë, Xhianfranko Fini u ka kërkuar deputetëve shqiptarë që t'i kushtojnë vëmendje projektit për ndërtimin e Korridorit Tetë, që lidh Italinë me rajonin e Ballkanit. Në fjalën e tij në Parlamentin shqiptar u shpreh për projektet për rigjallërimin e rajoneve të Mesdheut dhe Ballkanit. "Në këtë këndvështrim, fiton përparësi zhvillimi i rrugëve kryesore të komunikimit me rëndësi të veçantë strategjike si i ashtuquajturi "Korridor panevropian i transportit n.8 (Bari/Brindisi-Durrës-Shkup-Varna/Burgas) dhe krijimi i infrastrukturave dhe konjeksioneve të reja energjetike, si linja e interkonjeksionit me rrjetin e transmetimit shqiptar, ndërtimi i të cilës është vendosur nga pala italiane disa javë më parë", deklaroi Fini. Për sa i përket procesit të integrimit, Fini theksoi se "i takon klasës politike shqiptare të mos zhgënjejë këto pritshmëri, që shpesh kërkojnë sakrifica të rëndësishme personale dhe zgjedhje jetike të vështira, duke vazhduar më tej në rrugën për një integrim të plotë euroatlantik dhe duke fuqizuar sukseset e arritura nga vendi juaj me Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian në qershor 2006 dhe me firmosjen e kohëve të fundit të protokollit të anëtarësimit në Aleancën Atlantike, më 9 korrik të këtij viti". Ndërsa kryeparlamentarja Topalli i cilësoi të shkëlqyera marrëdhëniet me Italinë. "Italia është partneri dhe investitori më i rëndësishëm për Shqipërinë. Bashkëpunimi ynë ekonomik e politik, jam e bindur se do të njohë të tjera nivele të larta pas kësaj vizite tuaj në Shqipëri dhe më vjen mirë që së bashku me ju kanë ardhur edhe një grup gazetarësh, që do të përçojnë këtë realitet", deklaroi Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›