Sponsorizimi i klubit të Elbasanit, debate në Këshillin Bashkiak
ELBASAN- Kërkesa drejtuar Këshillit Bashkiak të Elbasanit nga ana e bashkisë së këtij qyteti mbi kapitalizmin e aksioneve të saj në klubin e futbollit, ka ngjallur debate dhe përplasje të shumta në mbledhje midis të djathtëve e të majtëve. Këto debate zgjatën disa orë dhe u shoqëruan me replika të shumta edhe midis deputetit të P.D -së Luçiano Boçi dhe kryebashkiakut Qazim Sejdini . Madje lidhur me ecurinë jo të mirë të ekipit të futbollit Elbasani gjatë viteve të fundit u hodhën edhe akuza nga palët se shkak i gjendjes alarmante të këtij ekipi është bërë edhe politika dhe segmente të caktuara të saj të interesuara për shkatërrimin e investimeve serioze të kryera nga ana e bashkisë së Elbasanit. Këshilltarët shprehën shqetësimin e tyre për mungesë e transparencës në shpenzimet e kryera ndër vite si për rrugën që do të ndiqet për të bërë kapitalizimin e aksioneve të bashkisë. Aktualisht, klubi I futbollit Elbasani është një shoqëri aksionere me tre ortakë, ish-presidenti Arben Laze, ortaku Gentjan Çërraga dhe Bashkia e Elbasanit. Kryebashkiaku Qazim Sejdini ka kërkuar që të kapitalizohen 1 milionë euro që janë investuar në klub në 5 vjet, ndërsa anëtarët e djathtë të Këshillit Bashkiak kërkuan që të hetohet mënyra dhe të bëhet transparente si janë dhënë këto para. Akuzat mes deputetit Luçiano Boçi dhe kryetarit të bashkisë Qazim Sejdini kanë vijuar edhe me anën sportive. Deputeti I PD-së ka kërkuar sqarime për rezultatet e dobta, megjithëse janë shpenzuar qindra milionë lekë, ndërsa kryebashkiaku Sejdini është përgjigjur se ishin pikërisht deputetë të Partisë Demokrative ata që në vitin e shkuar zbritën nga kategoria Elbasanin.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)