E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon konflikti midis Prefektit dhe Këshillit Bashkiak në Vlorë

Vazhdon lufta e heshtur në qytetin bregdetar të Vlorës midis prefektit të qarkut të Vlorës Hasan Halili dhe kryetarit aktual të Këshillit Bashkiak, Kujtim Sulçe. Halili ka refuzuar të miratojë vendimet e marra në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak sepse sipas tij ato kanë shkuar në zyrën e tij të firmosura nga një kryetar ilegjitim, siç është Kujtim Sulce i ardhur në

këtë detyrë me debate dhe me firmat e vetëm këshilltarëve të majtë. Halili duke pasur në krah edhe përfaqësuesin e tij ligjor Genci Hoxha ka theksuar se ndonëse është publikuar një vendim i gjykatës së apelit për rikthimin në detyrë të Sulçes, nuk ka sjellë pranë prefekturës, që ka qenë palë në gjykim në këtë gjykatë, asnjë vendim të formës së prerë. Edhe pas një kërkesë të bërë nga ky institucion, zyrtarisht ka ardhur një përgjigje se në kancelarinë e kësaj gjykate nuk ka asnjë vendim të formës së prerë për këtë rast. Në këto kushte prefekti Halili është shprehur se nuk do të miratojë asnjë nga vendimet e këshillit bashkiak. Mirëpo i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi nga ana e bashkisë Vlorës. Përmes shefit të kabinetit të kryetarit të kësaj Bashke, Arben Beqiri ajo ka theksuar se Bashkia Vlorë është duke punuar, thuajse në të gjitha akset rrugore të qytetit, dhe për këtë dëshmitarët më të mire janë vetë banorët e zonave ku shtrihen këto investime, institucioni më i lartë i shtetit në Vlorë dhe më gjerë, Prefekti i Qarkut, shpall publikisht barrierat ndaj zhvillimit të këtyre investimeve. Duke i veshur petkun ligjordhe pa zhveshur aspak mbështetjen e vet politike, Prefekti i Qarkut Vlorë, që në fakt duhet të jetë garant i respektimit të ligjit, del hapur në shkelje të tij. I nxitur nga këshilltarët e PD në Këshillin e Bashkisë së Vlorës dhe nën presionin e vazhdueshëm të tyre dhe të vet strukturave të partisë së tij, Prefekti i Vlorës, nuk njeh as institucionet e tjera ligjore, siç është dhe Këshilli i Bashkisë, as dhe vendimet e gjykatave të shtetit shqiptar, siç është Vendimi i Gjykatës së Apelit. Është kompetencë e vet Këshillit Bashkiak të kryejë procedurat e zhvillimit të mbledhjeve të tij, sikurse Prefekti i Qarkut mund të kërkojë dhe të thërrasë mbledhje të këtij Këshillit për të marrë shpjegime lidhur me procedurat që ky organ ndjek gjatë funksionimit të tij. Përderisa deri më sot, asnjë gjykatë e shkallëve më të larta të gjykimit nuk e ka rrëzuar Vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë, administrata e Bashkisë dhe Kryetari i saj janë të vendosur për të respektuar vendimet miratuara në mbledhjen e fundit të Këshillit të Bashkisë për realizimin e investimeve, vendime këto të miratuara konform ligjeve në fuqi dhe vendimeve të organeve gjyqësore të shtetit shqiptar.


V. Sako

Last Updated on E Merkure, 31 Mars 2010 20:20

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›