“Sporti Shqiptar” fiton trofeun simbolik “Panajot Pano”

Dje, në mjediset e Akuadromit të Tiranës, në fushat e minifutbollit atje, është zhvilluar trofeu “Panajot Pano” në futboll, me rastin e
71‑vjetorit të lindjes së legjendës shqiptare në këtë sport. Një nismë
e gazetarëve sportivë të kryeqytetit, e materializuar nga prania e 6
skuadrave. Konkretisht e “Vllaznimit” nga Shkodra (gazetarët sportivë të kryeqendrës së veriut), “Sport Ekspres”, “Metropol Sport”, “Sporti Shqiptar”, TVSH dhe “Supersport”. Falë mbështetjes financiare të dy dashamirësve të futbollit, veçanërisht dashamirës të Partizanit, Tonin Gjinaj dhe Besim Hoxha, u bë i mundur zhvillimi i këtij aktiviteti mjaft tërheqës dhe sinjifikativ. Disa figura të sportit shqiptar ishin të pranishme dhe përshëndetën pjesëmarrësit, ndërkohë që djali i të madhit Panajot Pano, Ledio, falënderoi gazetarët sportivë, që gjithmonë kanë vlerësuar dhe evidentuar vlerat e “mbretit” të futbollit shqiptar. Ismet Bellova, ndër të tjera tha se “ky aktivitet ka një simbolikë të fortë dhe të veçantë. Gazetarët sportivë, ata që kanë shkruar kaq shumë për të madhin Panajot Pano, sot po luajnë vetë në tapetin e blertë, në kujtim të kësaj figure të ndritur e të gjithanëshme sportive. Një nismë për t’u përshëndetur dhe që duhet të kthehet në traditë, sepse kështu, komuniteti ynë, e kujton Panajotin jo vetëm përmes shkrimeve dhe radiokronikave, por edhe duke luajtur vetë atë lojë, në të cilën aq shumë shkëlqeu Pano.”
Pas përfundimit të ndeshjeve, organizatorët, nën “dirigjimin” e gazetarit të njohur sportiv, Dëfrim Methasani, shtruan edhe një koktej për pjesëmarrësit, duke shkuar edhe më tej në idenë e tyre, që kjo lloj veprimtarie të përfundojë në Prishtinë, me një ndeshje simbolike mes skuadrës fituese, “Sporti Shqiptar” dhe gazetarëve sportivë kosovarë. Gjithashtu, u ra dakord që trofeu “Panajot Pano” të kthehet në traditë, si një aktivitet mes gazetarëve sportivë shqiptarë, por pse jo, edhe të homologëve kosovarë.
Po si u zhvillua ky trofe? Të ndarë në dy grupe, me nga tri skuadra, pjesëmarrësit kanë sfiduar njëri‑tjetrin, derisa në finale ka dalë “Sporti Shqiptar” dhe “Supersport”. Një finale emocionuese, mjaft e fortë dhe me rivalitet, të cilën e ka zgjidhur një gol i vetëm, i shënuar nga Matraxhiu, duke i dhënë kështu edhe trofeun skuadrës së tij. Kupa e trofeut është ngritur nga skuadra e “Sporti Shqiptar”, duke kaluar me radhë nëpër duart e Ilnicës, Matraxhiut, Lubanit, Xhemanit, Koçit, Rupit, Myrtos, Metaliut dhe Abules.
Linku origjinal: http://www.sportishqiptar.com.al/sporti-shqiptar-fiton-trofeun-simbolik-panajot-pano/
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 09 Mars 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili