E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigranti 25-vjeçar vret veten pas kthimit nga Greqia

• BERAT - Vetëm dy ditë pasi ishte kthyer nga emigracioni vret veten në rrethana misterioze 25-vjeçari.Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës,  në lagjen "10 korriku" të qytetit të Beratit. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se, rreth orës 22:00 është dërguar i pajetë në urgjencën e spitalit Elton Topi. Familjarët kanë dëshmuar se ai kishte rënë për të fjetur, por pak minuta më vonë dëgjuam krismat e armës së gjahut që i ati mbante me leje në shtëpi. Krisma e çiftes ka zgjuar familjarët e tij, të cilët kanë rendur të alarmuar drejt dhomës së 25-vjeçarit. Kur kanë hapur derën kanë parë djalin e tyre të shtrirë për tokë të mbuluar në gjak, si edhe dhe armën e gjahut pranë trupit të tij. Ata janë përpjekur t'i japin ndihmën e parë, megjithëse Topi nuk jepte shenja jete. Menjëherë familjarët e kanë transportuar për në spitalin rajonal të qytetit, por ndihma e mjekëve ka qenë e panevojshme, pasi i riu kishte ndërruar jetë, para se të mbërrinte në spital. Të sinjalizuar për ngjarjen e rëndë forca policie dhe një grup hetimor kanë shkuar në vendngjarje për të hetuar për rrethanat dhe shkaqet që mund të kenë çuar në vetëvrasje Topin, i sapokthyer nga emigrimi në Greqi. Burimet bëjnë të ditur se, 25-vjeçari para se të vriste veten ka shkruar një letër, ku kërkonte që e motra që jetonte në Itali të mos vinte në Shqipëri për varrimin e të vëllait, pasi sipas tij, asaj i mungonin dokumentet. Kjo letër është marrë nga grupi hetimor dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndonëse nuk përmendet shkaku i vetëvrasjes. Burime të policisë pohuan se, grupi hetimor po punon në pistën e një gjendje të rëndë depresive të 25-vjeçarit, e cila e ka çuar në veprimin fatal. Gjithsesi grupi hetimor po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.              d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›