E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sqarimi para bordit drejtues te PAOK

Ergys Kaçe ka treguar publikisht se çfarë ka thënë para bordit drejtues të PAOK-ut, lidhur me foton tashmë të famshme me bluzën e UÇK.
Duke folur për televizionin sportiv NOVA, Kaçe ka deklaruar:
“Në apologjinë time thashë  se nuk e dija çfarë ishte ajo që vesha, e bëra thjesht ngaqë pashë flamurin, nuk më shkoi mendja se çfarë mund të ishte ajo. Po ta dija, nuk kisha për ta veshur. Këtu jetoj, këtu jam rritur, këtu shkova në shkollë”.
I përballur me zhurmën dhe reagimet e ekzagjeruara që kjo çështje krijoi në Greqi, Ergys Kaçe ka kërkuar ndjesë ekipit, por edhe grekëve.
“Do të doja të kërkoj ndjesë nga ekipi për telashet që krijova, por edhe nga grekët. Me të vërtetë e respektoj Greqinë, miqtë e mij më të shumtë janë grekë dhe nuk do të doja që këtu të kenë mendim të keq për mua e të thonë gjëra të ndryshme. Kam ardhur në Greqi në moshën 2 vjeçe dhe nuk e njoh mirë historinë e vendit tim. Kur shkoj me kombëtaren, më tallin ngaqë nuk e flas mirë gjuhën, ndërsa tani po mësoj mirë e mirë edhe himnin”, tha ai.
Kaçe ka instituar edhe njëherë se fotografinë nuk e kishte publikuar ai. Madje lidhur me komentet e ndryshme, ka thënë se do të ishte budalla po t’i kishte shkruajtur vetë ai.
Kaçe doli të hënën para bordit drejtues të klubit, që ende nuk ka shpallur një vendim nëse do të marrë masë disiplinore dhe çfarë mase do të jetë ajo.
Gjithsesi, deri në shpalljen e këtij vendimi, Kaçe do të jetë i pezulluar nga ekipi i parë.
Në kohën që media e “transferon” Kaçen diku në kampionatin italian, vetë futbollisti thotë se ndoshta largohet nga PAOK-u, por kjo siç thotë, varet nga presidenti i klubit dhe tifozëria.
Ndërkaq, në përfundim të intervistës te Novasport, kaçe është shprehur i bindur se PAOK do të marrë vendimin më të mirë, “sa për mua, aq edhe për ekipin”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›